Unë jam prej atyre shqiptarëve të Shqipërisë, fjalët dhe vargjet e së cilës kanë shtegtuar për Kosovë në kohët e plumta të ndarjes sonë, më herët se fiziku im, më herët se kufiri dhe kosa historike të thyhet.
Stima për Presidenten e dinjitetshme të Kosovës, zj. Vjosa Osmani, erdhi tek unë në rrjedhën e miqësive të nisura herët, shumë herët në Kosovë. E kam takuar Presidenten Vjosa Osmani vetëm një herë, në një takim zyrtar si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, por e kam ndjekur përherë, pse ta fsheh, me adhurim. Jo për veten, por për Kosovën. Dhe në heshtje nga larg, kam uruar Kosovën për statement të një shtetareje që më ka krenuar përherë si shqiptare. Edhe si kosovare, po të doni. Pasi e quaj veten edhe gege e Kosovës.
Janë disa gra dhe burra të hijshëm të Kosovës që ndërtuan përbetimin tim ndaj saj, për të mbërritur te Presidentja Vjosa Osmani. Do të përmend disa, me ndjesë që nuk përmend dot gjithçka. Ishte viti 1998 kur një botues i përkushtuar i letërsisë shqipe, z. Abdullah Zeneli, botoi në Prishtinë librin tim me poezi “Kënga e Aretuzës” dhe nuk kishte ogur më të mirë për mua, që poezia ime të shëtiste para meje trojeve shqiptare. Ishin muajt e parë të shembjes së diktaturës shqiptare, kur njoha Flora Brovinën. Doktoresha vinte që të mund të merrej e pakërcënuar me helmimet prej serbëve të fëmijëve në shkollat shqiptare të Kosovës. Atëbotë në Tiranë kishte vetëm një shitore lulesh të prera, dhe unë munda të ble një trëndafil të kuq në respekt të saj, të poezisë dhe të përkushtimit të saj politik në luftën për liri në takimin tonë të parë. Ishin ato kohë kur vinte në Tiranë duke përshkuar malet shqiptare miku im i një jete dhe një nga njerëzit më shpirtbukur që kam takuar në Kosovë, studiuesi dhe shkrimtari Emin Kabashi, i cili më njohu me UÇK-në dhe më mësoi se si duhen nderuar ata që bien dhe punojnë për atdheun. Jo, si populizëm, por si përbetim akut ndaj gjakut tënd.
Ishin vitet të arta kur njoha, u miqësova dhe mora pjesë në shumë ngjarje letrare kombëtare me Azem Shkrelin dhe Ali Podrimen, mjeshtra të fjalës shqipe, por edhe qenie të sublimimit atdhetar. Ishte një dhuratë e jashtëzakonshme prej Zotit në jetën time të njihesha me ta.
Ishin vitet kur një zonjë e re dhe plot forcë, si Edita Tahiri, më mahniste me fjalimet e saj në takimet në klubet e atdhetarëve në prill të vitit 2007 në Zvicër, ku vajta e ftuar nga LDK e Ibrahim Rugovës. Ajo ethe dashurie për Kosovën në ato klube patriotike nuk do të më shlyhet kurrë nga mendja.
Ishin vitet kur ndiqja nga larg dhe me simpati presidencën e gruas së parë Presidente të Kosovës, Atifete Jahjaga, jo si grua me veshtulli feminizmi në qasjen time, por krenare që Kosova e kishte emancipuar politikën shqiptare, aq sa na kishte lënë në klasë neve të krekosurve të Shqipërisë.
Ishte koha kur për pesëmbëdhjetë vite me radhë kam marrë pjesë në Panairin Kombëtar të Librit në Prishtinë, e bindur dhe e vendosur se kjo ishte gjëja më e duhur e njerëzve të librit për të ruajtur një traditë kulturore kombëtare.
Ishin vite kur me simpati të shtuar kam ndjekur vendosmërinë e Kryeministrit Albin Kurti për t’ia kthyer veriun e Kosovës, Kosovës, duke e vlerësuar pa mëdyshjen më të vogël qartësinë e tij politike, me të cilin takimin e parë të rastësishëm e kam pasur në Tiranë, në prani të mikut tim të ndjerë, bacës Adem Demaçit në shkurt të vitit 2013.
Pra, ka shumë, por dua të ndalem këtu, te Presidentja Vjosa Osmani.
Sigurisht, radhët e mia as kanë lidhje me ndonjë njohje personale, as me ndonjë qasje politike, as me ndonjë detyrim për të mbështetur aksh politikan apo aksh parti. Thjesht, kisha një thirrje njerëzore prej shqiptareje, prej shkrimtareje, pse jo, edhe pse politikaneje drejtuar politikës së Kosovës: Zj. Vjosa Osmani i bën nder Presidencës, i bën nder Kosovës, na bën nder neve shqiptarëve! Ruajeni!
Presidentja Vjosa Osmani ka qenë një fytyrë e qetë, është një grua e mençur, është një anglishtfolëse mahnitëse, ndjehet se ka një shpirt të bukur dhe një politikane që na ka përfaqësuar me dinjitet. Me diplomaci! Lërini inatet e vogla! Ato i duhen armikut!
Politika e Kosovës sot nuk mund të bëjë shumë eksperimente politike, veçmas tani, në këtë zgrip ku na ka çuar intriga serbe and Co, me gjyqin famëkeq të Hagës ndaj UÇK-së, pra, ndaj historisë. Lojërat folklorike me hedhje grepi për familjen monumentale Jashari, të cilat nuk do të na çojnë askund, veç në një spirale përfoljeje të një emri historik që meriton shenjtëri, janë të rrezikshme.
As inatet e vogla me “më the e të thashë” nuk do t’i bënin mirë frymës së mirëkuptimit që politika në Kosovë ka detyrimin ta ketë, madje do t’ia ulnin vlerën procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Zj. Vjosa Osmani është Presidente e dinjitetshme e Kosovës. Ndaj, mos e prekni një dinjitet të konsoliduar ndërkombëtar, të paktën, deri sa të krijohen kushtet për një gjë, në mos më të mirë, të ngjashme.
A e keni një më të mirë? A e keni një më të ngjashme? Kjo është pyetja. Dhe, në fund, por jo si sillë të hidhur, dua t’ju sjell një shenjim të historisë, e cila është më e rreptë se emocionet tona të përditshmërisë. Kur Sali Butkës së Kolonjës dhe Shqipërisë iu desh të shkonte në një takim të rëndësishëm me grekët, ai vendosi të mos shkonte vetë, por zgjodhi një djalë të hijshëm, të zgjuar, me gojë të rrjedhur të krahinës dhe ia ngarkoi të thoshte ato që duhej të thoshte në emër të shqiptarëve të tij. Dhe, greku u ep në atë takim, thotë historia.
Sepse, miq të nderuar të politikës së Kosovës, diplomacia është përmbajtje, por edhe formë. Sepse, i nderuar zoti Albin Kurti, politika është veprim, por edhe dukë.
Nëse do të isha deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, unë do të kërkoja, do të promovoja, do të votoja pa as dyshimin më të vogël zj. Vjosa Osmani për Presidente, sepse, unë si deputete, partia ime, qeveria ime, por edhe koha ime, do të ishin shumë më të vogla se detyrimi akut ndaj Kosovës.
Komente









