Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur të premten për herë të parë për anëtarësimin e vendit Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump  për rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga lufta por edhe për zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur para mediave, Kurti tha se Kosova dëshiron të japë kontributin e saj për paqen në botë, kudo që të jetë nevoja. Sipas tij, pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën nëpërmjet pjesëmarrjes së FSK-së në  Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, dhe Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Ne kemi shprehur si Republikë që të marrim pjesë në këtë forcën stabilizuese ndërkombëtare, ku FSK-ja është e mirënjohur për kërkim shpëtim dhe jo vetëm. Meqenëse do të marrim pjesë ne forcën stabilizuese ndërkombëtare, ne kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë forcë stabilizuese ndërkombëtare, tash procesi do të ecë tutje. Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin e tretë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë ne dëshirojmë të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tash duam të marrim pjesë me forcat tona e kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme të botës. Sa i përket Gazës ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si qeveri dhe ky është një proces që do të vazhdojë edhe në vijim”, deklaroi Kurti.” tha Kurti .

Çfarë është Forca Ndërkombëtare Stabilizuese?

Sipas Radios Europa e Lirë, bëhet fjalë për një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe, me mandat të Kombeve të Bashkuara, e cila parashihet të formohet sipas planit 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë.

Ky plan është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi,  organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera, në tetor të vitit 2025.

Ndonëse nuk janë bërë publike shumë hollësi për të Forca Stabilizuese Ndërkombëtare besohet se do të ketë mandat për të ofruar siguri dhe për të mbikëqyrur marrëveshjen e armëpushimit në Gazë.

Shtëpia e Bardhë ka emëruar gjeneralmajorin e ushtrisë dhe komandantin amerikan të operacioneve speciale, Jasper Jeffers, si komandant të kësaj force.

Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova u  përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.Sipas Radios Europa e Lirë, ky bord është një mekanizëm që do të mbikqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës.