/ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova pikërisht para 23 viteve, në 24 maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi nga regjimi i dhunës serbe.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta - 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.
Në Kosavë 24 maji, me simbolikë shtetformuese, shënohej si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 23 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
 Po në 24 majin 1992, të para 23 viteve, raportimet me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Raportimet bëheshin nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja - ambientet e gazetës së rezistencës "Bujku", të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës ishte korrespondenti atëherë dhe tash në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.
Po në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, para të cilit u ngrit dhe u përurua dje shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit, ishte edhe Zyra e ATSH-së, të cilën në 1 tetorin e vitit historik të lirisë 1999 korrespondentit në Prishtinë ia dha qeveria e përkohëshme e Kosovës, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje Agjencisë Shqiptare të Lajmeve për raportimet për Kosovën e nga Kosova edhe kur kjo dukej thuaja e paimagjinueshme dhe e pamundshme, e ishte edhe ndaluar nga regjimi okupator.
Rugova, para 21 vitesh, në 1994,  në intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, ku filiste për një "politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve" dhe e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, falenderonte dhe vlerësonte ATSH-në për informimin nga Kosova e për Kosovën.
"Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri", theksonte Presidenti  histirik Rugova