Kosova përgatitet të votojë ushtrinë, reagimet në pritje të seancës së Kuvendit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha të enjten se votimi i nesërm i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën, ndërsa pas përfundimit të kësaj pune, udhëheqësit duhet të përqendrohen në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Në një postim në rrjetin social, twitter, ai thotë se, “Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zhvillimin profesional dhe ndryshimin organizativ të Forcës së Sigurisë, e cila duhet të luajë rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke pasqyruar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për paqe. Seanca e nesërme e parlamenti dhe ceremonia për Forcën e Sigurisë duhet të jenë rast për reflektim dhe ri përkushtim ndaj paqes, qëndrueshmërisë e përparimit për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tash është koha për të gjithë udhëheqësit dhe palët që të përqendrojnë energjitë e tyre në bisedime”, shkroi ai.

Parlamenti i Kosovës pritet që të mblidhet për të miratuar këto ndryshime të premten më 14 dhjetor.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”, ndërsa theksoi se “ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme”.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të enjten se shndërrimi i i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran e i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendi i tij mbështetë krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Ndërkaq, komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, tha dje në Shkup se “transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta marrin deputetët e Kosovës”.

Paralajmërimi i votimit të premten ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili shfaqë frikën se qëllim kryesor i ushtrisë së Kosovës është që “të marr veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët prej andej”.

Të enjten presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se “Kosova është vuajtja jonë e madhe”, themelimi i ushtrisë së saj “nuk është në përputhje as me të drejtën dhe as me Rezolutën 1244. Është detyrë e KFOR-it që ta shpërbëjë atë ushtri. Por ai nuk do ta bëjë këtë, ai do të thotë se ka ndryshuar çdo gjë qëkur është shpallur pavarësia” citohet të ketë thënë ai.

Prishtina i ka siguruar serbët e Kosovës se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj dhe se pohimet tjera janë “propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten u bëri një inspektim njësive të Forcës së Sigurisë, tha se ushtria do të jetë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend dhe në rajon. Ai i siguroj pjesëtarët e komunitetit serb se kjo forcë do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është faktor kontribuues për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit tonë dhe më gjerë. Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë NATO-n dhe të gjitha shtetet që dëshirojmë paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të botës. Gjithashtu falënderojmë të gjithë partnerët dhe aleatët tanë për mirëkuptimin dhe mbështetjen. FSK do të jetë gjithmonë në shërbim dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve dhe pronës së tyre pa asnjë dallim”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë. Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth pesë mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

NATO-ja u vendos në Kosovë në vitin 1999 në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes, në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj por është përfshirë në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Kosovës si kusht për integrimet evropiane. Por bisedimet për këtë normalizim kanë ngecur dhe një krizë e re i ka përfshirë ato pas vendimit të Kosovës për t’u vendosur një tarifë prej 100 për qind mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj siç thuhet, fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. /VOA

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen