PRISHTINË, 12 Dhjetor /ATSH/.- Me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës 5 anëtarë kosovarë do jenë pjesëmarrës në European Film Awards në Riga.
Qendra Kinematografike e Kosovës bën të ditur se, nesër, në 13 dhjetor, do të mbahet ceremonia vjetore e ndarjes së shpërblimeve në European Film Awards që këtë vit organizohet në Riga, Letoni. Kjo ceremoni do të bashkojë mbi 1500 shikues në sallën kombëtare të Operës në Riga, ndër ta shumë filmbërës, anëtarë të EFA-së, etj.
Të nominuarit për çmimin kryesor në këtë ceremoni, e cila organizohet nga European Film Academy janë: 'Force Majeure' me regji të Ruben Östlund, 'Ida' me regji të Pawel Pawlikowski, 'Winter Sleep' me regji të Nuri Bilge Ceylan, 'Nymphomaniac Director's Cut' me regji të Lars von Trier dhe 'Leviathan' me regji të Andrey Zvyagintsev.
Pjesë e ceremonisë të ndarjes së çmimeve janë edhe anëtarët kosovarë në European Film Academy që janë: Arben Zharku, Veton Nurkollari, Vjosa Berisha, Fatos Berisha, Jeton Budima.
"Qendra Kinematografike e Kosovës ka nderin të jetë patron i European Film Awards", përfundon njoftimi i dërguar./b.j/









