Kosova sërish para reciprocitetit tregtar me Serbinë?

Kosova sërish para reciprocitetit tregtar me Serbinë?

Në Kosovë rikthehet debati mbi barrierat tregtare që Serbia i bën Kosovës. Qeveria e Kosovës po shikon mundësitë për vendosjen e masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë po ekspertët janë kundër, ata kërkojnë dialog.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës janë shprehur, se janë duke bërë përgatitjet dhe kordinimin e nevojshëm ndërinstitucional që të mundësojnë një zbatim të plotë dhe funksional të masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë. Ky hap bëhet i nevojshëm, sipas tyre, sepse Serbia nuk njeh origjinën e prodhimeve të Kosovës dhe në këtë mënyrë pengon edhe eksportin e Kosovës. Ministrja e Industrisë në qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha se Serbia nuk e njeh origjinën e prodhimeve të Kosovës dhe në këtë mënyrë ajo po i pengon eksportet. "Serbia nuk njeh asnjë certifikatë nga Kosova dhe nuk kërkon asnjë certifikatë, sepse nuk dëshiron ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

Reciprociteti nuk duhet të dështojë në terren

Hajdari thotë, se institucionet janë duke i koordinuar veprimet për t'ju përgjigjur qasjes së Serbisë ndaj mallrave të Kosovës. "Ne jemi të zotuar që të zbatojmë reciprocitetin, por gjithmonë kjo kërkon sukses në terren dhe përgatitje logjistike në terren dhe po ashtu është edhe në koordinim të afërt me kryeministrin Kurti, i cili e ka edhe aspektin politik që e shqyrton se si më së miri të adresohen, prandaj në koordinim ndërqeveritar dhe institucionet duhet të jemi të përgatitur shumë mirë që të mos na dështoj zbatimi i ndonjë mase të reciprocitetit në terren”, thekson ministrja Hajdari.

Disa nga partitë politike opozitare vazhdojnë ta kritikojnë qeverinë e Kosovës, pasi nuk po u jep përgjigje të duhur problemeve tregtare me Serbinë. Ferat Shala, kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonominë, thotë se kjo qeveri identifikohet me retorikë dhe jo me veprim.

"E kemi pritur një rezultat më të fuqishëm në relacion me reciprocitetin ndoshta kemi gabuar por kështu është përgatitë opinioni siç keni thënë se ne do të kemi një reciprocitet të fuqishëm dhe transparent në raport me problemet që kemi me Serbinë dhe nga retorika juaj, tash po e shoh që po insistoni me disa vendime parciale, dytësore të produkteve ndaras, po dëshironi të gjeni një rrugë të dytë për t'i ikur vendimit të madh të reciprocitetit”, thotë Shala.

Oda Ekonomike: Duhen masa kreative para reciprocitetit

Kurse ekspertët e Odës Ekonomike të Kosovës, thonë se me Serbinë duhet të gjenden masa kreative për të zgjidhur problemet tregtare para se të veprohet me masa të reciprocitetit. Sipas tyre barrierave jotarifore që Serbia i aplikon me Kosovën duhet përgjigjur me aplikim të masave kreative para se të merren vendime. Por si i sheh njohësi i çështjeve ekonomike, profesori Safet Gerxhaliu, përpjekjet e qeverisë së Kosovës për një koordnim ndërinstitucional në mënyrë që në një moment të caktuar të vendoset reciprocitet tregtar me Serbinë.

Gërxhaliu në një intervistë për  DW-së, tha se dialogu është mënyra më e mirë për të tejkaluar problemet tregtare me Serbinë, duke e përfshirë këtu edhe faktorin ndërkombëtar. "Në këtë kohë unë mendoj, se duhet të jetë dialogu mekanizëm për zgjidhjen e problemeve. Duhet patur parasysh që në kuadër të procesit të Berlinit vitin e kaluar në Sofie, janë nënshkruar marrëveshje substanciale që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët rajonal, për lëvizjen e lirë të mallrave edhe shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Prandaj duhet  bërë presion që këto marrëveshje të zbatohen, të eliminohen barrierat e të bërit biznes në veçanti në relacion ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Profesor Gerxhaliu ka dyshim, se çdo tentim për reciprocitet do të marrë konotacion politik  përballë faktorit ndërkombëtar, në veçanti SHBA-ve. "Besoj që pajtohemi se Kosovës nuk i duhet edhe një taksë 100% kundër Serbisë nga e cila përfitoi vetëm Serbia edhe në aspektin ekonomik dhe politik dhe mbi të gjitha i përvetësoi krejt miqtë e Kosovës dhe i bëri miq të Serbisë. Prandaj duhet një analizë, të mendohet edhe pozicioni i sektorit privat në këtë situatë pas pandemike. Pra, duhet bërë një analizë e mirëfilltë, sepse çdo vendim politik dhe çdo kalkulim politik pa analizë ekonomike, e dëmton në mënyrë të drejtpërdrejt qytetarin e Kosovës”.

Safet Gërxhaliu kujton edhe një fakt tjetër ku në rast të vendosjes së reciprocitetit tregtar me Serbinë, Kosova mund të përballet me presion nga vendet industrialisht të zhvilluara. "Duhet të bëhet një analizë e mirëfilltë dhe të shihet qartë dhe që dihet se një pjesë e madhe e importeve nga Serbia, përjashtuar derivatet e naftës, janë edhe brende evropiane që prodhohen në Serbi, prandaj nëse Kosova merr një iniciative për reciprocitet tregtar me Serbinë, kam frikë që mund të përballet edhe me diplomacitë e vendeve evropiane që natyrshëm mbrojnë brendet e tyre që prodhohen në Serbi dhe kudoqofshin ato”.

Prandaj sipas njohësit të ekonomisë Safet Gerxhaliu, Kosova nuk duhet të përsëris gabimet e së shkuarës,  por të kërkojë dialog. "Kosova nuk duhet ta përsëris skenarin e taksës 100% ku të gjithë faktori ndërkombëtar dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së Kosovës ishin kundër një takse të tillë dhe Serbia e promovoi këtë si barrierë nga Kosova. Pra, Serbia nga një vend që e ka shfrytëzuar Kosovën ekonomikisht, u shndërrua në viktimë dhe e dëmtoi Kosovën. Prandaj edhe në këtë fazë kur Kosova ndodhet në dialog me Serbinë, çdo masë tregtare nga Kosova do ta dëmtojë procesin e dialogut dhe në fund, Kosova do të jetë edhe e dëmtuar edhe humbëse”, thotë Safet Gerxhaliu.

Qeveria e Kosovës javë më parë u ka dërguar letër udhëheqësve të shteteve evropiane për t'i informuar me shkeljet që po i bën Serbia në marrëdhëniet tregtare me Kosovën. Në këtë kuadër i ka njoftuar po ashtu se po shqyrtohen masat e reciprocitetit nëse Serbia nuk heq barrierat ndaj mallrave të Kosovës. Që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, 3.8 miliardë euro mallra janë importuar nga Serbia. Ndërsa, 1.8 miliardë euro nga Shqipëria. Këto të dhëna janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore