Kosova shënon 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së! Osmani-Kurti: Liria mban vulën e familjes Jashari

Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi. Krerët shtetërorë nderuan lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria mban vulën e familjes Jashari.

“Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3.000 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë dhe nderit”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova do të jetë “shtet i pavarur përjetësisht” dhe se ky shtet është amaneti i dëshmorëve.

“Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendarë, Prekazin historik, dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar para në rrugëtimi ne pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë, ruajtjen e mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit të vendit të pavarur”, tha Osmani gjatë ceremonisë së organizuar në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë.

Osmani, që është komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se së bashku me aleatët, kjo forcë do të vazhdojë të kontribuojë përmes misioneve humanitare për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë në botë.

FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri të Kosovës. Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ushtria e Kosovës ka fillesat në fundin e viteve ’80, “atëherë kur Ademi [Jashari] nisi të fliste me shokët për nevojën që kishte Kosova për të pasur ushtri”.

“Andaj sot, ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me armatime moderne dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, tha ai.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje. Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës. Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it. Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës./ REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:58
Epopeja e UÇK, Presidenti Begaj: Familja Jashari, gurthemel i lirisë së Kosovës

Në këtë 25-vjetor të ‘Epopesë së UÇK-së’, Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari. Begaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se sakrifica e familjes Jashari është gurthemeli i lirisë së Kosovës. Sipas tij, që Kosova të fillonte një epokë të re do të duhej qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij.

“Sot në këtë 25-vjetor të betejës së Prekazit, nderojmë me respekt heroin dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, si edhe dëshmorët e lirisë të cilët dhanë jetën në këtë betejë pas tri ditëve rezistencë dhe heroizëm.  Do të duhej qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij që Kosova të fillonte një epokë të re, atë të lirisë dhe demokracisë! Ata janë guri i themelit të lirisë së saj. Lavdi veprës heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Begaj.

Ora 16:43
25-vjetori i Epopesë së UÇK-së, Meta: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë së Kosovës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se sakrifica e familjes së Adem Jasharit është themeli i lirisë së Kosovës.

“Para 25 vitesh forcat e Millosheviçit rrethuan familjen Jashari. Ata qëndruan siç di të qëndrojë shqiptari. Sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Ademi legjendar, është themeli i lirisë të Kosovës. Në atë kohë, ne, Shqipëria, ishim të gjithë me zemër e me vepra në mbështetje të Kosovës. Shpejt do të vijë koha që Shqipëria do të jetë prapë 100% në mbështetje të Kosovës. Lavdi të përjetshme Adem Jasharit dhe heronjve të Kosovës”, shkruan Meta.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI