Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës. Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se kjo është një histori që vazhdon të jetojë si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat

“Nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat”, shkruan ajo.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve. Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:18
28 vite nga rënia heroike e Jasharëve, Spiropali: Prekazi ndryshoi rrjedhën e historisë! Qëndresa e një familjeje u bë simbol i një populli të tërë

Foto: Elisa Spiropali

Elisa Spiropali ka kujtuar 28-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari në Kosovë, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Spiropali thekson se ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës.

Spiropali shton se sot e kujtojnë këtë ngjarje me respekt të thellë, dhe se qëndresa e familjes Jashari u bë simbol i një populli të tërë.

Postimi i plotë:

Prekaz! Ka ngjarje që ndryshojnë rrjedhën e historisë. Prekazi është njëra prej tyre.

Në marsin e vitit 1998, familja Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, u përball me një makineri të tërë dhune shtetërore dhe zgjodhi të mos dorëzohej. Ishte një sakrificë e paimagjinueshme njerëzore, por edhe një akt që e bëri të qartë se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të shtypen me forcë.

Ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës. Tragjedia dhe heroizmi i kësaj familjeje e bënë të pamundur që drama e Kosovës të mbetej më në heshtje shurdhuese. Qëndrimi në kancelaritë perëndimore filloi të ndryshojë dhe çështja e Kosovës mori vendin që i takonte në vëmendjen ndërkombëtare, duke na kujtuar se sakrifica është themeli i lirisë.

Sot e kujtojmë Prekazin me respekt të thellë. Sepse ajo sakrificë nuk është vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë sonë – është edhe momenti kur qëndresa e një familjeje u bë simbol i një populli të tërë.

Lavdi përjetë Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.

Ora 09:58
Epopeja e UÇK-së, Osmani: Një histori që vazhdon të jetojë si betim dhe si udhërrëfyes për brezat

1772281279_vjosaosmani.jpg

Foto: Vjosa Osmani

Sot shënohen 28 vjet nga njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe më të dhimbshme në historinë e re të Kosovë - rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz.

Në nder të kësaj dite, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një reagim në Facebook.

“Nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat”, shkruan Osmani.