PRISHTINË, 25 Nëntor /ATSH-B.Jashari/-Kosova, me Kushtetutë, ka marrë obligim që standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë të zbatueshme drejtpërdrejtë në Kosovë, tha sot Haxhi Gashi, autor i Komentarit të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
"Komentari është konsideruar me interes të veçantë në funksion të forcimit së sundimit të ligjit dhe zbatimin e ligjit në praktikë sidomos në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje", theksoi ai. Në Kosovë, me rastin e hapjes së Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit publikoi sot Komentarin e Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje. "Fushata e filluar sot përfundon me 10 dhjetor (Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut) duke lidhur simbolikisht këto dy ditë në përforcim të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut", u tha me këtë rast.
Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edona Hajrullahu, tha se në mbarë botën organizohen fushata sensibilizuese për eliminimin e dhunës ndaj grave."Fjongoja e bardhë, që në sot bartim, simbolizon aktivitetin e përbashkët të grave dhe burrave që së bashku duan ta luftojnë dhe ti japin fund dhunës ndaj grave", u shpreh ajo. Sipas, Abdyl Ymerit, Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, lansimi i Komentarit të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, do të jetë i rëndësisë së veçantë për juristët, por edhe për qytetaret, meqë tash do ta kenë informatën e sakët në interpretimin e normave juridike që rregullojnë këtë fushë.
Ndërsa, Sylë Hoxha, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit theksoi se përparësi e këtij ligji në krahasim me rregulloren e mëhershme për mbrojtje nga dhuna në familje është se ka për qellim edhe trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe lehtësimin e pasojave. Jeta Krasniqi, këshilltare e Presidentes së Repubikës theksoi se ky komentar jo pa qellim vjen sot, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminim e Dhunës ndaj grave, pasi dhuna në familje në shumicën e rasteve është dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve dhe është shkelje e të drejtave të njeriut. /a.ke/










