Kosova të zgjedhë mes Kurtit e SHBA-BE! 'Baba' zbriti në Tiranë

Kosova të zgjedhë mes Kurtit e SHBA-BE! 'Baba' zbriti në Tiranë

Albin Kurti ia arriti që të vendosë Kosovën nën sanksionet e Bashkimit Europian, duke e futur vendin nën një izolim të thellë ndërkombëtar dhe vënë përballë një situate të paparashikuar. Kosova është i vetmi vend në Europë i sanksonuar për momentin, ndërkohë që është dhe i pari pas Serbisë së Milosheviçit që përballet me masat të tilla ndëshkuese nga Perëndimi në këto vite. Këtej e tutje asnjë zyrtar i lartë i qeverisë dhe shtetit të Kosovës, nuk do udhëtojë jashtë vendit për takime të nivelit të lartë dhe as do të presë zyrtarë të lartë europianë në Prishtinë. Veç ndonjë ndërmjetësuesi krize.

Njëherësh janë pezulluar dhe procesi i MSA, duke ‘ngrirë’ procesin e integrimit të vendit dhe për pasojë dhe njohjet e Kosovës si shtet i pavarur, si dhe janë pezulluar të gjitha financimet në kuadër të ndihmës për Ballkanin Perëndimor, pjesë e së cilës dukshëm ishte dhe Kosova.

Mesazhin e parë e dha këto ditë, teksa u përjashtua nga marrëveshja e dixhitalizimit, projekt që kapte vlerën e 7.5 miliardë eurove, duke treguar qartë se Perëndimi i ka seriozisht apo e thënë më thjeshtë i “ka për njëmend” masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që kanë hyrë në fuqi më 1 korrik.

E pranoi dhe vetë Albin Kurti, kryeministri aktual sanksionimin e Kosovës, duke deklaruar se është një masë e padrejtë, sipas tij jo proporcionale pasi duhej ndëshkuar dhe Serbia, dhe për më tepër shpresonte që të ishin masa të përkohshme për Kosovën.

Pavarësisht se strumbullari që solli sanksionimin e Kosovës nga BE, është pikërisht Albin Kurti, i cili ka shpallur armik SHBA, BE, Britaninë, Shqipërinë e tërë botën, bëri thirrje ndaj qytetarëve të vendit të tij që të bashkohen për t’i përballuar këto masa ndëshkuese. Duke mos harruar të nënvizojë sërish se s’do bëjë lëshime në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit të Kosovë.

Me thirrjen e tij, na kujton të shkuarën jo fort të largët të diktaturës komuniste në Shqipëri, kur udhëheqësi komunist Enver Hoxha shpallte Amerikën, Britaninë dhe gjithë Perëndimin si armiq të popullit shqiptar, që ia kishin me hile Shqipërisë dhe betohej se ‘do të hanin dhe bar’ ndërsa parimet nuk i shkelnin dhe as sovranitetin e vendit nuk e falnin.

Në fakt këtu ka një ndryshim të vogël të periudhës së Enver Hoxhës me atë të Albin Kurtit në Kosovë. E themi këtë sepse Shqipëria asokohe ishte shteti më militar në rajon dhe më gjërë, e thënë më shqeto vendin e kishte mbushur me bunkerë dhe depot pafund me armatime, të cilat vijojnë dhe sot e kësaj dite të jenë nëpër këmbët e shqiptarëve dhe të shkaktojnë viktima.

Ndërkohë që Hoxha, me atë teorinë e tij për sigurimin e bukës në vend, bukë misri shumicën e kohës por ama bukë, e kishte zgjidhur problemin e drithërave, ndonëse Shqipëri për shkak të shpenzimeve të larta ushtarake dhe mungesës së lidhjeve me botën, u katandis në nivelin e mjerimit të thëllë, për të rënë në fundin e vitit 1990 si regjim.

Ndërsa në Kosovë, në ndryshim nga Shqipëria e atëhershme, sigurinë e garantojnë trupat e NATO-s, ndërsa për bukën dhe për asortimente të tjera varet në masën 80 përqind nga Serbia. Por Albini deklaron se pavarësisht sanksioneve të vëna nga BE, ai s’do ndalet në përplasjen me SHBA, vendet e Unionit Evropian, Britaninë e këdo vend, që sipas tij ‘ia ka me hile Kosovës”!

E kemi thënë dhe nuk lodhemi ta themi se SHBA, vendet anëtare të NATO-s dhe tërë bota demokratike janë ‘krijuesit’ e shtetit të Kosovës. Bombarduan Serbinë në mars të vitit 1999, dhe ishin presidenti amerikan Bill Klinton e kryeministri Britanik Toni Bler ata që udhëhoqën këtë fushatë të rëndë bombardimesh, lufta e parë e këtij lloji në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga genocidi serb e duke çliruar Kosovën, bashkë dhe me focat e UÇK në terren. Më pas kontribuan në krijimin e shtetit më të ri në Europë.

Ndaj themi me bindje se një mendje normale s’mund ta ‘rrokë’ akuzën që, SHBA, Britania e BE po mbështesin Serbinë në kurriz të Kosovës për ta copëtuar, ia ‘kanë me hile Kosovës’ dhe duan që të shkëpusin Veriun e saj, për t’ia dhënë Serbisë dhe akuza të tjera të këtij lloji, të cilat tashmë janë në të njejtën gjatësi vale, nga maja e qeverisë së Kurtit e deri tek ‘patrioti’ më i fundit i rrjeteve sociale. Aq sa dhe mund të ngatërrohem me njëri tjetrin, sa nuk merret vesh ku mbaron qeveria se sulmuari partnerët tanë, dhe ku fillojnë këta ‘luftëtarët’ e mëdhenj të rrjeteve sociale.

Eshtë absurde të mendosh se ‘krijuesit’ kërkojnë të sakrifikojnë ‘foshnjën’ e tyre Kosovën, teksa kanë shpenzuar kohë, energji, diplomaci e financime. Deri më sot janë shpenzuar mbi 100 miliardë dollarë për çlirimin dhe ngritjen e shtetit të Kosovës, vijojnë ta ruajnë me forcat e NATO-s, udhëheqin nismat për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe në çdo strukturë tjetër dhe mbi të gjitha e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës. Madje e mbrojnë fort dhe nga njerëz si Albini.

Nuk e di nëse e imagjinon ndokush, nëse një ditë partnerët tanë me në krye SHBA të ndjehen të lodhur, të pezmatuar nga mistrecllëqet e Albin Kurtit, dhe të tërheqin ushtarët e KFOR nga Kosova, të heqin dorë nga mbështetja e drejtëpërdrejtë në gjykata, prokurori dhe pikat e tjera nevralgjike të shtetit, dhe ta vënë Kosovën në rresht me vendet e tjera të rajonit, për ta trajtuar jo si një shtet specifik që kërkon mbështetje suplementare por si një shtet normal, si gjithë shtetet e tjera të Ballkanit? Pikërisht atë që kërkon Serbia dhe vendet jomike dhe armike me shqiptarët.

Kataklizma do ndodhte. Pasi Kosova nuk do ta garantonte sigurinë e kufijve të saj. Tre policë të armatosur shqiptarë u rrëmbyen nga tre specialë serbë vetëm se iu afruan pak kufirit me Serbinë. Jo më të ndodhë që ushtarët e NATO-s të mos jenë më në Kosovë. Vazhdimin e di vetë dhe Albin Kurti, mbështetësit e tij në qeverisje, në Vetëvendosje por dhe këta ‘patriotët’ e rrjeteve sociale që sulmojnë si Albini partnerët tanë dhe këdo që kërkon bashkëpunim me aleatët, duke u mburrur se nuk përkulen para presionit të Amerikës, ‘nuk i ulim br****t para tyre”, pavarësisht se ishin këta aleatë bashkë me legjendarët e UÇK, komandantët e së cilës me në krye Hashim Thaçin që sot janë në burgun e Hagës, ata që i shpëtuan nga genocidi dhe dhunimi serb.

Ka një shprehje të vjetër që përdoret dhe në Kosovë: “Eshtë kollaj të mburresh me ko*et e babës”. Albin Kurti këtë po bën, po mburret nën sigurinë e ushtarëve të NATO-s, të aleatëve tanë, ata të cilët bënë të mundur që Kosova të çlirohej, të jetë shtet i pavarur, të njihet nga pjesa më e madhe dhe e qënësishme e botës si shtet dhe po e mbajnë në këmbë, me gjithë vicklat e kreut të Vetëvendosjes, fatkeqësisht kryeministër.

Kurti, jo vetëm që s’merr parasysh sygjerimet e aleatëve për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit që ka brenda dhe asociacionin e komunave serbe, qetësimin e situatës në Veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por punon fort, në bashkëpunim me Vuçiçin që kjo situatë të vazhdojë sa më gjatë të jetë e mundur. Po bëjnë gjithçka të dy vetëm që të mos nënshkruajnë asnjë marrëveshje, për t’u treguar të ‘fortë’ para qytetarëve respektivë, për pak vota më shumë.

Pikërisht duke u shpallur luftë ‘krijuesve’ të shtetit të Kosovës, SHBA, BE-së dhe Britanisë. Dhe meqë jemi tek ky term, është e udhës t’i kujtojmë Albin Kurtit që njeriu që kontribuoi më fort për çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës, presidenti Bill Klinton mbërriti në Tiranë këtë të hënë. Pra Albin, ‘baba’ i shtetit të Kosovës, i cili në nder të tij ka dhe bustin në Prishtinë, ka mbërritur në Tiranë.

Pavarësisht se duhej të bënte dhe një ‘xhiro’ nga Kosova ditën e dytë, pasi shqiptarët e duan këtej dhe andej kufiri njëlloj, por sanksinimi i Kosovës dhe i qeverisë së saj, bashkë me kryeministrin duket se e ka detyruar që mesazhet në drejtim të shtetit më të ri në Europë, atij që e krijoi vetë, t’i japë nga Tirana, kryeqendra e shtetit amë, për të gjithë ata që nuk lënë gjë pa thënë kundër Shqipërisë e kryeministrit të saj. Pasi Shqipëria është vendi më i sigurtë në rajon.

Ndërsa vetë Albin Kurti nuk ka gjasa të jetë as në Tiranë për të shtrënguar dorën me Bill Klinton, ‘babën’ e shtetit të Kosovës, çliruesin e themeluesin e shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan. Por e ka një ‘mik’ Kurti në Tiranë, të cilin as nuk e ftojnë dhe as nuk i jep dorën askush, Sali Berishën e shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe një anti-amerikan i thekur, i cili nuk është ftuar në pritjen për Klinton. Njësoj si Albini që qëndroi në Prishtinë. Deri këtu e katandisi Albin Kurti Kosovën, e armiqësoi me tërë botën dhe e futi nën një izolim të thellë, aspak të menduar nga askush për 24 vite me radhë.

Kosova përballë këtij izolimi të fortë dhe kthimit në pikën e nisjes nga udhëheqësit e paudhë të saj, që zhbënë të gjitha sukseset e arritura deri më tani është përballë një zgjedhjeje, aspak të vështirë mund të themi. Kosova duhet të zgjedhë mes Albin Kurtit që po tregohet i vendosur për t’i dhënë vendit një kurs anti-Perëndim, dhe orientimit perëndimor të përfaqësuar nga SHBA, BE dhe Britania që i dhanë gjithçka kishte ëndërruar përmbi 100 vite qytetarëve të këtij vendi: I bëri me shtet, jashtë suazës serbe.

Duhet të zgjedhë shpejt Kosova, ndërsa opozita duhet të zgjohet nga ‘gjumi’ ku ka rënë dhe të nisë me mocionet e mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit, për të kaluar vendin në zgjedhje të parakohëshme. Pastaj shqiptarët e Kosovës ta vendosin me votë cilin kurs duhet të ndjekin. Ama ta bëjnë shpejt, pasi humnera për Kosovën është në prag tashmë. Duhet ta ndajnë mendjen.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj