PRISHTINË - Me rastin e shuarjes së deputetit gjerman Andreas Schockenhof, kryeministri i Kosovës, Isa Msutafa shprehet se ai shquhej me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan, ndërsa zv/kryeministri e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, thekoson përkushtimin e mikut të madh ndaj afirmimit në arenën ndërkombëtare dhe forcimit të integritetit territorial të Kosovës.
"Në mesditën e sotme ndërroi jetë dr. Andreas Schockenhof, nënkryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestagun Gjerman. Sot shkoi nga kjo jetë njeriu që u shqua me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan.
Gjatë këtij viti takova disa herë deputetin Schockenhof, i cili shquhej me përkushtimin e tij për demokraci, për zhvillim e prosperitet. Ishte një njeri i dashur, i sinqertë dhe një mik i madh i yni.
Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ne, që e njohëm dhe bashkëpunuam me dr. Andreas Schockenhof, por edhe një ditë në të cilën shprehim krenarinë që patëm rastin të kemi një mik të tillë", deklaron Mustafa.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se sapo dëgjoi lajmin e pikëllueshëm për ndërrimin e jetës së mikut të madh të Kosovës Andreas Schockenhoff.
"Ishte në Kosovë para disa ditëve duke përkrahur fuqimisht institucionet e reja dhe popullin e Kosovës. Schockenhoff ishte deputet me ndikim i Bundestagut gjerman që nga viti 1990. Ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për forcimin e integritetit territorial të Kosovës.
Familjes së tij, Kancelares gjermane Angela Merkel, bashkëpartiakëve të CDU-së dhe gjithë popullit gjerman u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e një personaliteti të shquar të skenës politike gjermane dhe ndërkombëtare dhe një miku të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm të Kosovës i cili mbështeti fuqishëm vendin tonë drejt integrimeve europiane deri në çastet e fundit të jetës.  U prefsh në paqe mik", shkruan Thaçi, si edhe Mustafa, në postimin në Facebook./ATSH/