Kështu, Thaçi ka mundur rivalin e tij direkt, Isa Mustafën, me një diferencë prej pothuajse 5% të votave. Partia e këtij të fundit, LDK sipas rezultateve të deritanishme ka marrë 25.75 %, e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 13.51 % të votave. Megjithatë, LDK-ja ka rikthyer Prishtinën për nga numri i votave krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale, e cila humbi bastionin e saj nga partia e Albin Kurtit. Partitë e tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deri më tani 9.61 % të votave dhe Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit 5.24 % të votave, duke fituar mundësinë për t'u futur në Kuvendin e Kosovës. Kurse Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacolli dhe Lista Serbe nuk mundën të kalonin pragun minimal prej 5%, duke marrë respektivisht 4.66 % dhe 4.17 %.
Në këtë mënyrë, Thaçi siguron fitoren për herë të tretë, por mbetet për të parë se me cilat parti do të krijojë koalicionin për të siguruar mandatin e tij të tretë 4-vjeçar në krye të vendit. Sipas një artikulli të Reuters, ka shumë gjasa që kryetari i PDK të formojë koalicion me partitë e vogla dhe me serbët etnikë. Përveç kësaj, Hashim Thaçi në zgjedhjet e 8 Qershorit ka humbur aleatin e tij, Behgjet Pacolli, partia e të cilit nuk ka kaluar pragun elektoral për të qenë në Parlament. Kuvendi i Kosovës ka 120 vende dhe Hashim Thaçit do t’i nevojitet bashkëpunimi me të paktë një prej tre partive që vijnë pas saj me më shumë vota. Bashkëpunimi i Isa Mustafën duket gati i pamundur ashtu si dhe me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, të cilët kanë shprehur hapur se nuk do të bëjnë koalicion me Thaçin. Ish-aleati i tij Fatmir Limaj ka lënë të hapur mundësinë për koalicion me PDK-në, por as kjo nuk do t’i mjaftonte Thaçit në numra për të formuar qeverinë e re të Kosovës. Sakaq, alternative tjetër mbetet Ramush Haradinaj i AAK-së, por kjo zgjedhje mund t’i kushtojë Thaçit postin kryeministror. Haradinaj i ka deklaruar më herët kushtet e tij për koalicion: Vetëm nëse ai është kryeministër. Por a do ta bëjë Thaçi këtë sakrificë?!
Rezultatet LIVE të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Pak pas mesnatës së 8 Qershorit, kyeministri Thaçi shpalli fitoren nga Prishtina, ende pa përfunduar zyrtarisht procesi i numërimit, duke i cilësuar zgjedhjet të lira dhe se “Kosova duhet të ndihet krenare”. Kreu i PDK i'u drejtua qytetarëve, duke i falenderuar për mbështetjen dhe për besimin e dhënë. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje pranoi fitoren e PDK-së, por tha se Thaçi fitoi si rezultat i dobësisë së partisë së Isa Mustafës. “Fitorja e PDK nuk është e saj, është dobësia e LDK”, tha anëtari i Vetëvendosjes, Darda Molliqaj.
Shqiptarja.com dhe televizoni A1 Report ndoqën hap pas hapi maratonën e procesit zgjedhor prej orës 07:00 të së dielës e deri në orët e para të mëngjesit të së hënës, për rreth 20 orë transmetim online dhe raportimeve direkte të gazetares Joniada Koçi nga qendrat e votimeve në Prishtinë. Zërat e qytetarëve të Kosovës përmes mikrofonit të A1 REPORT
Procesi që nisi prej orës 07:00 dhe përfundoi në orën 19:00 ka qenë i rregullt, me përjashtim të disa incidenteve të vogla. Kjo gjë konfirmohet dhe nga Prokurori i Shtetit, i cili pohoi se nuk ka patur parregullsi, dhe në qendrën e përfolur të Skënderajt nuk u mbushën kutitë, siç u pretendua nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim. Akuza e DnV: Po mbushen kutitë nga njerëz të paautorizuar
Edhe OSBE përmbushi me sukses misionin në veri të vendit, e konkretisht në komunat e Mitrovicës Veriore të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Patokut. “Kemi qenë dëshmitarë të një operacioni të mirë zgjedhor, të realizuar në mënyrë profesionale”, tha shefi i Misionit të OSBE, Jean-Claude Schlumberger.
Po kështu, Presidentja Atifete Jahjaga përgëzoi qytetarët kosovarë për maturinë e treguar gjatë votimeve. Jahjaga: Përgëzime qytetarëve, treguan maturi
Ndërkaq, militantë të partive të ndryshme dolën në shesh pas mesnatës për të festuar, VIDEO ku nuk munguan dhe incidentet e përleshjet mes militantëve të PDK-së dhe LDK-së. Këto përleshje u pasuan nga një aksident. Një simpatizant i Partisë Demokratike të Kosovës përplasi me motor nga pakujdesia një kalimtar, duke i shkaktuar plagë të rënda. Mediat kosovare raportojnë se drejtuesi i motorit nuk ndaloi, por u largua menjëherë nga vendngjarja.Shikoni VIDEON
Pavarësisht këtyre incidenteve, zgjedhjet shënuan një hap të rëndësishëm për Kosovën apo si u cilësua nga BBC, “provë jetike për anëtarësimin në BE”. Fitorja e PDK-së u duk që në rezultatet e para, duke udhëhequr gjatë gjithë numërimit me një diferencë prej 3-4% më shumë se LDK-ja.
Megjithatë, vlen të përmendet fakti i një pjesëmarrje të ulët në votime, rreth 43%, krahasuar me zgjedhjet e 2010, e konfirmuar kjo edhe nga Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka për A1 Report. Ndërsa siç citohej në artikullin e Reuters, kjo vjen si pasojë e kaplimit të kosovarëve nga varfëria dhe korrupsioni. Për herë të parë në zgjedhjet e sotshme kanë votuar edhe komunat e veriut të Kosovës, për të zgjedhur 38 subjektet politike të cilat garuan për 1 vend në parlamentin 120 vendësh kosovar.
Ora 19:30 Ashton: Zgjedhjet ishin të mira, BE do të vazhdojë ta mbështesë perspektiven evropiane të Kosovës
"Ne urojmë votuesit për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme legjislative që u mbajtën më 8 qershor në Kosovë. Këto zgjedhje janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës".
Kështu ka deklaruar Baronesha Catherine Ashton përmes një deklarate dërguar mediave në lidhje me procesin e djeshëm zgjedhor.
"Express", shkruan se Ashton ka falënderuar kryevëzhguesin Roberto Gualtieri dhe misionin vëzhgues të BE-së (MVE) për punën e tyre dhe për Deklaratën Preliminare të lëshuar sot.
“Vlerësimi i MVE-së konfirmon që zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt”, ka thënë Ashton, ndërsa ka falënderuar edhe OSBE-në për përkrahjen e tyre.
“Tani presim me padurim krijimin sa më të shpejtë të qeverisë e cila do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së prillit 2013, e cila rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë”, citohet të ketë thënë Ashton, transmeton Koha.
Në fund, Baronesha Ashton ka thënë se BE mbetet plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim.
Ora 17:00 Kurti thyen heshtjen pas humbjes së thellë: Fitorja e PDK, lajm i keq për Kosovën
Lideri i VV-së, Albin Kurti në një paraqitje për media e ka quajtur lajm të keq për Kosovën fitoren e PDK-së.
Ai i fton partitë opozitare që të mos i bashkohen PDK-së në qeverisje. Sipas tij, fakti që PDK doli e para është lajm i keq pasi që doli e para partia e korrupsionit e krimit dhe e bashkëpunimit me Serbinë.
“Jemi të interesuar që të takohemi me partitë opozitare që ta pamundësojmë edhe një mandat tjetër keqeverisës me PDK-në. Jemi të interesuar që të takohemi me partitë e tjera që të mos i bashkohen PDK-së, jemi këmbëngulës që asnjë parti të mos i bashkohet PDK-së”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se nuk e përjashtojnë as koalicionin me LDK por sipas tij së pari duhet t’i bindin partitë e tjera që të mos i bashkohen PDK-së.
.....
LEXONI ME POSHTE GJITCHKA NDODHI GJATE ZGJEDHJEVE TE 8 QERSHORIT, DERI NE MESNATE
Thaçi shpall fitoren pas mesnate: Kosova duhet të ndihet krenare
Kryeministri aktual i Kosovës, njëkohësisht dhe kreu i PDK, Hashim Thaçi shpalli fitoren nga Prishtina, duke i cilësuar zgjedhjet të lira dhe se “Kosova duhet të ndihet krenare”. Kreu i PDK i'u drejtua qytetarëve pak pas orës 00:00, duke i falenderuar për mbështetjen dhe për besimin e dhënë.
“Sot qytetarët e Kosovës u përballen me një pyetje të thjesht por vendimtare për Kosovën, çfarë lloj shteti duhet të ndërtojmë. Dhe sot vota demokratike e dëgjoi përgjigjen e qytetarëve të Kosovës shumë qartë. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që e dhanë verdiktin e tyre por ushtoi në mbarë vendin, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Peja në Gjilan e gjithandej në Republikën e Kosovës”, deklaroi Thaçi para qytetarëve të mbledhur në sheshin 21. Kreu i PDK falënderoi edhe ndërkombëtarët për ndihmën e dhënë. Ai shtoi se Kosova është e gatshme për të realizuar ëndrrat e mëdha.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate për mediat pranoi fitoren e PDK dhe kritikoi LDK, duke e cilësuar të dobët. Sipas anëtarit të kësaj lëvizje, Darda Molliqaj, PDK nuk fitoi falë meritave të saj, por nga dobësia e LDK.
PROKURORIA: NUK JANË MBUSHUR KUTITË NË SKËNDERAJ
Prokurori i Shtetit konfirmoi se nuk ka patur parregullsi në qendrën e Skënderajt apo të jenë mbushur kutitë, siç u pretendua nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim. Ai tha se nuk ka patur keqpërdorim të të drejtave të votimit dhe për këtë gjë u pyetën komisionerët e këtyre vendvotimeve. Megjithatë, Prokurori i Shtetit shtoi se ditën e sotme do të intervistohen edhe vëzhguesit e Demokracisë në Vëzhgim lidhur me pretendimet e tyre.
Sipas prokurorisë gjatë këtyre zgjedhjeve janë regjistruar 13 raste të keqpërdorimit me 16 persona të përfshirë, të dyshuar se kanë manipuluar votat duke dhënë ose marrë ryshfet. Sipas autoriteteve kosovare nuk janë shënuar incidente problemtike gjatë procesit të votimit.
OSBE: ISHIM DËSHMITARË TË NJË OPERACIONI TË MIRË ZGJEDHOR
“Kemi qenë dëshmitarë të një operacioni të mirë zgjedhor, të realizuar në mënyrë profesionale. Nuk janë raportuar incidente apo parregullsi të mëdha. Kjo është një arritje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për votuesit.
Dua ta falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për bashkëpunimin e tyre, si dhe Këshillat e Vendvotimeve për angazhimin e tyre. Po ashtu, i përgëzoj organet e sigurisë - Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in – për performancën e tyre të shkëlqyer në ruajtjen e një mjedisi të sigurt e të favorshëm për zgjedhje të qeta”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
Zgjedhjet e parakohshme pasuan vendimin e parlamentit për t’u shpërndarë në fillim të muajit maj, pas dështimit për të siguruar shumicën e votave për miratimin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ndërkaq edhe televizioni “A1 Report” dhe “Shqiptarja.com” po ndjek dhe përcjell hap pas hapi ecurinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke dhënë informacione të vazhdueshme edhe nga gazetarët tanë të dërguar në Kosovë.
Gazetarja Joniada Koçi , përcjell mendimet e qytetarëve për atë që presin nga këto zgjedhje të parakohshme nga Prishtina.
Procesi i zgjedhjeve në Kosovë hap pas hapi
ORA 12:05 KRYETARI I PDK, HASHIM THACI SHPALL FITOREN
Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli fitoren nga Prishtina, duke i cilësuar zgjedhjet të lira dhe se “Kosova duhet të ndihet krenare”.
"Sot qytetarët e Kosovës u përballen me një pyetje të thjesht por vendimtare për Kosovën, çfarë lloj shteti duhet të ndërtojmë. Dhe sonte vota demokratike e dëgjoi përgjigjen e qytetarëve të Kosovës shumë qartë. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që e dhanë verdiktin e tyre por ushtoi në mbarë vendin, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Peja në Gjilan e gjithandej në Republikën e Kosovës. Ne do të ecim përpara, ne do ta zhvillojmë vendin tonë. Kosova duhet të jetë krenare sepse u zhvilluan zgjedhje të të lira dhe korrekte, të cilat u përqëndruan në qytetarët e Kosovës, të cilët vendosën modelin e shtetit", u shpreh Thaçi para qytetarëve.
ORA 23:25 VETËVENDOSJE: FITORJA E PDK NUK ËSHTË E SAJ, ËSHTË DOBËSIA E LDK
“Falenderoj ata që kanë përkrahur, Vetëvendosje është dysfishuar, kjo mbështetje i jep mundësi konceptit të majtë, i cili po fuqizohet me rritje të madhe, dhe kjo tregon se konsistenca jonë dhe prezenca në Prishtinë, tregojnë se është subjekti me rritjen më të madhe. Kjo nuk është fitore e PDK-së por dobësi e LDK-së në alternativën dhe lidershipin që ofroi. PDK ka dëmtuar vendin në qeverisje për këto 7 vite. Vazhdimi i mandatit të Hashim Thaçit në krye të vendit është një fatëkeqësi për vendin e cila ka ardhur si rezultat i një opozitë të përçarë”, tha anëtari i kësaj lëvizje, Darda Molliqaj.
Ora 22:20 Veseli: Fitore e padiskutueshme e PDK
Ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë po numëron votat, Zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli në një konferencë për shtyp tha se kjo parti ka fituar bindshëm, me një shumicë solide.
“Falenderojmë partite plitike dhe qytetarët që të gjithë bashkarisht kemi kaluar një test të demokracisë duke mbajtur zgjedhjet më të lira që nga koha e pas luftës. Dita e zgjedhjeve ishte më e përkryera. Qytetarët e Kosovës, kanë konfuirmuar të ardhmen e sigurt të kosovës në BE”, tha Kadri Veseli. Ai ka thënë se dhe partitë e tjera ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa ka bërë thirrje se dhe numërimi të shkoj pa incidente.
Ora 20:50 Prokuroria: Komisionerët në Skënderaj po merren në pyetje
Prokurorja Laura Pula ka deklaruar se pas pretendimeve se ka pasur mbushje të kutive në Skenderaj, janë duke u intervistuar disa komisioner, por sipas tyre, ende nuk ka dyshime për keqpërdorime të tilla. Ajo bëri të ditur se gjatë ditës janë regjistruar 13 raste të keqpërdorimit me 16 persona të përfshirë.
"Në moment kur ka informacione për mbyshje të kutisë policia ka reaguar menjëherë. Janë intervistuar 4 komisionerë lidhur me dyshimin e mbushjes së kutive. Deri më tani nuk ka prova për këtë, ndërsa pritet të mbarojë edhe intervistimi me komisionerët e tjerë." tha kryeprokurorja Pula
Ora 20:30 Daka: Pjesëmarrja 43.17%, rënie e lehtë krahasuar me 2010 VIDEO
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës në një dalje për shtyp bëri publike të dhënat zyrtare të numrit të votuesve në zgjedhjet e sotshme të parakohshme parlamentare. Sipas kryetares Valdete Daka numri i votuesve është 43.17% ndërsa në zgjedhjet e vitit 2010 pjesëmarrja ka qenë 46.04%, duke shtuar se ka një rënie të lehtë të numrit të votuesve.
Daka bëri apel që të respektohen procedurat e numërimit. Sa i përket dyshimeve se në Skënderaj ka pasur mbushje të kutive të votimit, kryetarja e KQZ-së tha se janë marrë të gjitha masat për zbardhjen e këtyre akuzave. Sa i përket votimeve në veri, Valdete Daka shtoi se procesi në këto komuna ka qenë i qetë. Ndërsa sa i përket ankesës për numër fletësh të votimit jo të mjaftueshme, tha se fletët e votimit kanë qenë të kufizuara vetëm në vendvotimet me kusht.
"Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 43.17%. Krahasuar me zgjedhjet e 2010 ku pjesëmarrja ka qenë 46.04% vërehet një rënie e lehtë e votuesve. Bëj thirrje të zbatohen procedurat e numërimit. Ne jemi shumë mirë të informuar sepse jemi në kontakt me policinë dhe prokurorinë. Vendvotimet janë mbyllur me kohë, dhe diku rreth orës 16:05 minuta është raportuar për disa parregullsi, ata qendra janë mbyllur me kohë dhe jo para kohe. Komisionerët aty janë ndaluar të japin deklaratë për shtyp, kanë shkuar komisionerët rezervë për të kryer procesin e numërimit të votave. Nuk mund të japim një vendim zyrtar. Procesi në veri pa probleme, nuk kemi asnjë raport as nga policia apo nga vëzhguesit. Sa i përket rezultateve në të gjithë territori, pres që sonte nga mesnata të dalim në një rezultat paraprak për subjektet politike, por për individët duhet të pritet edhe më. Në vendvotimet me kusht nuk mund të dorëzojmë sa votues ka, por një shumë e caktuar. Nuk mundemi të parashikojmë sa votues me kusht ka, pra vendvotime jo të rregullta, por në vendvotimet e rregullta nuk ka pasur mungesa." u shpreh Valdete Daka
Ora 19:42 AAK: Numërimi i votave të kryhet me korrektësi maksimale
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përshëndetur procesin e sotëm zgjedhor. Ndërkaq ka kërkuar përgjegjësi maksimale tani kur ka filluar numërimi i votave.
"I ftojmë komisionerët dhe vëzhguesit e të gjitha partive politike, por edhe vëzhguesit e pavarur që me kujdesin dhe korrektësinë maksimale ta përmbyllin këtë proces", thuhet në reagimin e AAK-së.
Ora 19:20 PDK: Zgjedhjet e suksesshme
Partia Demokratike e Kosovës i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të të suksesshme dhe demokratike. Këto ishin zgjedhjet më të mira të pasluftës, ka thënë Vlora Çitaku gjatë konferencës së parë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ajo e ka përgënjeshtruar Koalicionin Demokracia në Veprim në lidhje me pohimet se në dy-tri vendvotime në Skenderaj kishte raste të mbushjes së kutive të votimit. "Këto janë të pa vërteta", ka deklaruar Çitaku
Ora 19:17 LDK: Nuk pranojmë rezultate të manipuluara
Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Agim Veliu ka thënë se kjo parti politike nuk do të pranojë asnjë rezultat nëpër qendrat e votimit ku ka dyshime për manipulim të votave.
“Duke iu referuar informacioneve që kemi nga tereni por edhe te dhënave që raportojnë organizata, siç është edhe raporti i Demokracia në Veprim, mund të konstatojmë se ka tendencë për manipulim të rezultatit real të votimit”, ka thënë Veliu në një konferencë për media. LDK sipas Veliut nuk do të pranojë asnjë rezultat të keq përdorimit të votës së lirë. Këto komente ai i ka bërë menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ora 19:00 Mbyllet zyrtarisht votimi, KQZ: Pjesëmarrja 43.41%
Në Kosovë, në orën 19:00, janë mbylluar zyrtarisht 798 qendrat e votimit, ndërsa ka filluar procesi i numërimit. Sipas KQZ deri në orën 19:00, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka shënuar 43.46% ose 730 mijë e 153 votues nga 1.8 persona me të drejtë vote.
Ora 18:55 PDK: Infomacionet për mbushje të kutive në Skënderaj, të pavërteta
Partia Demokratike e Kosovës, Dega Skenderaj, përmes një deklarate thotë se në asnjë nga vendvotimet në territorin e komunës së Skenderajt nuk janë evidentuar parregullsi.
“Informacionet e DV-së për mbushje të kutive të votimit me vota të parregullta nuk janë të vërteta”, thuhet në deklaratë.
“Procesi zgjedhor në Skenderaj ka shkuar normalisht dhe pa incidente. Gjithsesi më këtë rast ftojmë organet kompetente të shqyrtojnë çdo rast të lajmëruar si shkelje në procesin zgjedhor. Fitoren tonë në zgjedhjet e sotme nuk mund ta dëmtojnë as interesimet e shtuara dhe tendencat e rivalëve tanë politikë, për njollosje të këtij procesi shumë demokratik. I falënderojmë qytetarët e Skenderajt për përgjigje në proces, si dhe për krijimin e frymës demokratike”, theksohet në deklaratën e PDK-së.
Ora 18:50 Prokurorët e Kosovës nisen në Skënderaj
Prokurorët e Kosovës janë nisur në fshatrat e Skënderajt ku po dyshohet se ka nisur mbushja e kutive të votmit. Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës ka konfirmuar se policia dhe prokurori kujdestar janë nisur për në vendin e ngjarjes.
“Tani kemi disa informacione se në fshatrat Kopiliq, Aqareve, Llaushë dhe Tërnocë janë duke u mbushur kutitë. Ne menjëherë jemi angazhuar bashkë me policinë dhe kemi dërguar njësi shtesë. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe prokurori kujdestar është në Kopiliq”, ka thënë Syla.
Ora 18:30 Cliff: Deri tani, një ditë e suksesshme
"Nga ajo që e kam parë deri më tani, këto zgjedhje duken si në çdo vend tjetër në Evropë", ka thënë ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff. Megjithatë, ai tha se jo gjithçka ka mbaruar, pasi tani dëshiron që dhe procesi i numërimit të votave të vazhdoj njësoj.
“Tani i përket komisionerëve se si do të eci puna. Unë besoj që mesazhi është përçuar fuqishëm, që nuk duhet të ketë manipulime, dhe se janë në dijeni që procesi duhet të shkojë mirë deri në fund”, ka thënë Cliff. Ai u shpreh i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e votuesve në veri të Kosovës.
Ora 18:26 Jacobson: Kujdes në numërim të Votave
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka përshëndetur mënyrën se si kosovarët kanë votuar deri në orët e pasdites dhe shpreson për pjesëmarrje më të lartë deri në fund të ditës. Ajo ka kërkuar sjellje të përgjegjshme nga numëruesit e fletëvotimeve.
“Kemi udhëtuar anembanë vendit sot duke vizituar disa komuna. Deri më tani, gjithçka duket të jetë e qetë dhe në rregull, shumë njerëz po vijnë të votojnë. Do të shohim si do të ecin gjërat, por deri tani do të thosha se është mjaft mirë. Shpresojmë të shohim më shumë pjesëmarrje si dhe duam të shohim gjithashtu edhe sjellje të përgjegjshme nga numëruesit”, tha Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson pasi ka vizituar qendrën e votimit të vendosur në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë.
(Në foto: Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Jacobson)
Ora 18: 16 Votimi në veri deri në orën 17:00
Në veri të Mitrovicës deri në ora 17:00 kanë votuar gjithsejtë 9669 votues nga gjithsej 26.832 votues me të drejt vote. Ndërsa, sipas KQZ-së, deri në ora 15:00, në Leposaviç kanë votuar 13.79%, Zubin Potok 16.67% dhe Zveçan 13.98%. Në veri të Kosovës procesi zgjedhor ka është zhvilluar normalisht, nuk ka pasur parregullsi, ndërkohë që dalja e votuesve ka qenë e ulët.
Ora 18:16 Arrestohen edhe 2 perona të tjerë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë për shkak të dyshimit të manipulimit me vota përkatësisht dyshimit të dhënies së ryshfetit. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë për Kosovapress se njëri nga të arrestuarit ka tentuar në shkollën e fshatit Zhabar të votojë dy herë ndërsa personi tjetër i arrestuar dyshohet për blerje të votave meqë gjatë një kontrolli rutinor policia ka gjetur në automjetin e tij një listë me shumë emra të qytetarëve. Sipas Zahitit me urdhër të prokurorit të dy personat ndodhen në mbajtje për 48 orë. Numri i të arrestuarve deri më tani për keqpërdorim të votës ka shkuar në dhjetë.
Ora 18:13 Demokracia në Veprim: Në Skënderaj po mbushet kutitë nga njerëz të paautorizuar
Koalicioni të Organizatave Joqeveritare Demokracia në Veprim i bën thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë masa në të paktën 2 qendra të vendvotimeve në Skenderaj, për të parandaluar keqpërdorimin e fletëvotimeve. Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim ka thënë se kanë filluar të mbushen kutitë e votimit me vota nga njerëz të paautorizuar. Sipas Demokracisë në Veprim deri në orën 16:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 29 për qind e qytetarëve më të drejtë vote.
Ora 18:10 Mediat ndërkombëtare: PDK-ja fituese
Mediat ndërkombëtare i kanë cilësuar zgjedhjet e 8 qersorit deri më tani si të qeta dhe pa incidente. Agjesnia e lajmeve Euronews thotë se zgjedhjet po shkojnë mirë. Madje sipas tyre partia e cila pritet të fitoj shumicën e votave është PDK-së.
“Sipas sondazheve të fundit, PDK partia e kryeministrit Hashim Thaçi ka shanse të fitojë zgjedhjet me pothuajse një të tretën e votave. Megjithatë, Thaçi do të udhëzohen në rastin e partnerëve të koalicionit”, thotë Euronews. Ndërkohë televizioni publik gjerman ARD thotë se qytetarët me shumicë shqiptare presin fitoren e PDK-së dhe shefit të qeverisë Hashim Thaçi. “Zgjedhjet janë një fazë e rendësishme e kërkuar nga SHBA-të dhe BE-ja për integrimin e pakicave në shtetin e Kosovës”, shkruan ARD-ja.
Ora 16: 57 Prokuroria: Arrestohen 8 persona për rryshfet,
"Deri më tani në polici janë paraqitur 7 raste, ndërsa janë arrestuar tetë persona." Kështu pohoi Laura Pula, në një konferencë për media, ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sipas saj, ne Leposaviç është raportuar për disa votime nga qytetare të njëjtë, por pas paraqitjes së tyre në OSBE është vërtetuar se nuk paraqet rast penal. Pula po ashtu tha se prokurorët e shtetit, do të vazhdojnë punën dhe pas orës 19:00, atëherë dhe kur do të mbyllen vendvotimet, duke vëzhguar për se afërmi numërimin e votave. Gjatë kësaj konference u tha se procesi zgjedhor nuk është përcjellë, me ndonjë incident madhor.
“Kemi një rast me 8 persona me dhënie dhe marrje të ryshfetit. 3 persona tani janë vetëm duke u intervistuar në organet e ndjekjes dhe 5 persona tjerë janë në kërkim në lidhje me këtë vepër penale. Gjithashtu 1 person është arrestuar në fshatin Shipol të Mitrovicës i cili është zënë duke marrë ryshfet në shumë të caktuar dhe i njëjti tani është arrestuar dhe kemi një person të arrestuar për shkak se ka tentuar të votoj dy herë dhe potencialisht ky person e ka thyer respektimin e të drejtës së votës”, ka thënë Pula.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se përveç këtyre rasteve janë raportuar edhe disa të tjera, por të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Ora 16:08 Dushi: Ka fletëvotime të mjaftueshme për votuesit
Ndërsa një ndër problemet më kryesore në zgjedhjet parlamentare në Kosovë është mungesa efletëve të votimit, anëtari i KQZ-së, Florian Dushi thotë se kjo është bërë edhe për të parandaluar keqpërdorimin e fletëvotimeve, të cilat tepërojnë. Ai thotë se në secilin Komision Komunal Zgjedhor ka fletëvotime rezervë dhe nëse paraqitet nevoja ato do të dërgohen nëpër qendra të votimit.
Ora 16:05 Daka: Procesi i qetë, nuk ka probleme
Kryetarja e KQZ-së së Kosovës Valdete Daka, gjatë një dalje për mediat, teksa bëri të ditur pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nëpër të gjitha komunat krahasuar me zgjedhjet e fundit të 2012, tha se nuk ka probleme gjatë procesit të votimit veç disa parregullsive teknike.
Daka sqaroi se nëse do të ketë probleme të tjera, ato do të bëhen publike në daljen e rradhës për shtyp.
Ora 15:50 Kosovarët mbrojnë votën e tyre, 7274 sms për parregullsi
Qytetarët e Kosovës janë vet ata që kanë raportuar më shumë për parregullsitë në procesin zgjedhor. Në numrin 500 88 sipas KFOS, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, kanë ardhur 7274 ankesa . Luan Shllaku drejtor i KFOS, ka thënë se ne krahasim me zgjedhjet e kaluara ka interesim shumë të madh të qytetarëve për të lajmëruar rregullsitë dhe parregullsitë që po ndodhin në qendra të votimit. Ai ka thënë se kësaj radhe në rreth 90 sms është raportuar se gjithçka është duke shkuar në rregull. Shllaku shpreson që deri në fund të ditës të mbahet një situatë e tillë.
Ora 15:11 KQZ deri në orën 15:00, pjesëmarrja 27 %
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit të votimeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në orën 15:00.
Sipas KQZ-së deri më tani pjesëmarrja ka arritur në 27 % ose 456 mijë e 242 votues. Në Prishtinë deri më tani janë shënuar rreth 32 % votues ndërsa komuna me numrin më të lartë të votuesve është Mamusha me rreth 37 %. Komuna me numrin më të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje është komuna e Zveçanit në veri të Kosovës me 17% me vetëm 414 votues.
Ora 14:53 OSBE: Veriu po voton qetë
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka vizituar disa qendra votimi në veri të Kosovës. Në Mitrovicën e Veriut ai ka thënë se “është i kënaqur me procesin e rregullt në veri” dhe me faktin se deri tani “nuk është shënuar ndonjë incident apo parregullsi”.
Ora 13:40 Arrestohet një person që ka votuar dy herë
Prokurorja Laura Pula ka konfirmuar se është arrestuar personi i parë në Prishtinë që ka votuar dy herë.
“Kemi njoftimi e fundit se një person ka votuar dy herë në një shkollë të Prishtinës dhe i njëjti është ndalur”, ka thënë Pula, në konferencë për media.
(Foto/Kryeprokurorja Laura Pula)
Ora 13:15 Ka mungesë të fletëvotimeve në krejt Kosovën
Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se në të gjithë Kosovën ka mungesë të fletëvotimeve, kjo për arsye të "shkaqeve ekonomike", siç shprehet ajo.
“Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që të shtypen më pak fletëvotime se sa ka votues në Kosovë, pra nuk janë 1 milionë e 789 mijë e diçka, mirëpo janë më pak, pra janë 90 përqind e numrit të votuesve, pra aq ka fletëvotime, prandaj çdo qendër e votimit ka numër më të vogël të fletëvotimeve, sepse ne konsiderojmë se, pas analizave që janë bërë, asnjëherë nuk kemi dalje më të madhe se 50 për qind, prandaj edhe fletëvotimet janë shtypë në numër më të vogël, sepse thjeshtë për shkaqe ekonomike”, shprehet Daka.
Kryetarja Daka nuk ka komentuar për parregullsitë e mundshme duke thënë se do të përgjigjet në konferencë Policia e Kosovës dhe Prokuroria.
Ora 12:40 BE: Dëshirojmë të shohim zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse
“BE dëshiron të shohë zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse për legjislativin më 8 qershor në të gjithë Kosovën. Këto janë zgjedhjet e para pas përfundimit me sukses të negociatave për marrëveshjen e stabilizimit dhe asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës".
"Kosova ka arritur progres impresiv në marrëdhëniet e saj me BE-në dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë gjatë dy viteve të fundit. Ne presim me padurim që të vazhdojmë me angazhimin tonë të afërt dhe përkushtimin për Kosovën me qeverinë e re pas zgjedhjeve”.
Ora 12:20 Valdete Daka: Procesi i votimit deri më tani i rregullt
Në një konferencë për shtyp rreth mesditës, kryetarja e KQZ-së së Kosovës Valdete Daka tha se “Procesi i votimit deri tani është në rregull. Kërkohet nga komisionerët që t'i respektojnë vendimet dhe udhëzimet e KQZ-së për zgjedhjet 2014”.
Daka sqaron se KQZ-ja ka marrë vendim që të shtypen 5.70% (nivel vendi) më pak fletëvotime se sa votues të regjistruar në vend.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në takimin me gazetarët ka njoftuar se në katër komunat e veriut të Kosovës në votime deri në orën 11:00 kanë dalë gjithsejt 3115 nga 62,737 qytetarë me të drejtë vote.
Ora 12:10 Qetë në veri të Mitrovicës
Në katër komunat në veri të Kosovës, para qendrave të votimit, vihet re një prani e shtuar e forcave të sigurisë. "IndekOnline" raporton se në veri të Mitrovicës është duke vazhduar procesi votimit në rregull. Qytetarët kanë dalë për të votuar edhe pse është vërejtur një numër i vogël i votuesve deri më tani. Në qytet vërhet një situatë e qetë.
Ora 11:30 Zhbogar i kënaqur me votimet, bën thirrje të vazhdojë kjo frymë
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar vizitoi qendrën e votimit te salla "1 tetori" në Prishtinë. Ai me këtë rast ka thënë se është ndjerë i lumtur për mbarëvajtjen që ka parë gjatë vizitës në këtë qendër.
Deri më tani, Zhbogar ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë problem dhe shpreson që probleme mos të ketë gjatë gjithë ditës.
Përfaqësuesi i BE-së, ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të dalin në votime në këtë mënyrë. Por, Zhbogar gjatë kësaj vizite, nuk është pritur nga askush. I vetëm, ai ka shëtitur të gjithë sallën dhe pa përkthyes është përgjigjur për mediat.
Ora 11:10 OJQ “Demokracia në Veprim”: Përleshen komisionarët, ndërhyn policia
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke monitoruar procesin zgjedhor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. DnV për monitorimin e këtij procesi ka të angazhuar në terren 2600 vëzhgues si dhe disa ekipe mobile.
Vëzhguesi i DnV-së ka raportuar se në Prishtinë, në qendrën 1920e, në vendvotimin e 04, ka pasur një përleshje mes komisionerëve ku është dashur të ndërhyj edhe policia.
Ora 11:00 VV, Albin Kurti: Sot qytetarët përcaktojnë fatin e politikave të shtetit
Pas ushtrimit të së drejtës së votës, në qendrën 19-13 E në ambientet e Fakultetit Juridik, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se “Sot qytetarët përcaktojnë fatin e politikave të shtetit”.
“Faleminderit gazetarëve që ndiqni me vëmendje procesin zgjedhor, sot qytetarët vendosin dhe përcaktojnë fatin e politikave të shtetit, demokracia nuk është e mbyllur në dhomat e ndërtesave të institucioneve, sot qytetarët po bëhen pjesëmarrës dhe vendimarrës për të ardhmen e shoqërisë, qytetarët të dalin sa më shpejt në zgjedhje për shkak se komisionarët dhe vëzhguesit po kujdesen që gjithçka të shkojë më së miri që procesi të jetë demokratik”, tha Albin Kurti.
Ora 10:36 Voton Behgjet Pacolli
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kryer obligimin e tij si qytetar i Kosovës dhe ka votuar në shkollën e lagjes ku edhe jeton, në qendrën e votimit 1927E në shkollën Fillore “Shkëndija”, në Hajvali.
Për Pacollin, kjo është edhe dita më e bukur që prej kur voton në Kosovë.
Ora 10:30 OJQ "Demokracia në veprim raporton disa parregullsi
Koalicioni "Demokracia në Veprim" në konferencën e parë për media ka raportuar "për disa parregullsi në procesin zgjedhor 2014".
Ata kanë raportuar për një incident në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini" në Prishtinë, ku sipas tyre ka pasur një përleshje mes komisionarëve dhe është dashur të ndërhyjë Polica e Kosovës.
Vëzhguesit e Demokracia në Veprim po ashtu bëjnë të ditur se janë raportuar 36 raste ku është parë prezencë e materialit propagandues të subjekteve politike në diametrin prej 100 metrash nga qendrat e votimit.
Po ashtu janë raportuar edhe raste të personave të paautorizuar në qendra të vendvotimit dhe në disa qendra zgjedhore ka munguar materiali sensitiv, sipas DV-së.
Demokracia në Veprim ka raportuar edhe për 45 raste ku sipas tyre, nuk është bërë kontrolli i votuesve me llamba ultra vjollce.
Ora 10:20 Voton Shpend Ahmeti
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka votuar para pak çastesh në shkollën fillore “Faik Konica, në kryeqytet. Ahmeti është shprehur i kënaqur lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit.
“Edhe ne po e kryejmë obligimin tonë. Mendojë se procedurat kanë qenë tepër shpejt, ndoshta edhe mu edhe pak më shpejt, megjithatë nuk pash ndonjë problem. Ju bëjë thirrje që të gjithë qytetarët të votojnë sa më herët, pasi që është obligim, dhe e drejtë e tyre”, ka thënë Ahmeti.
Ora 10:15 Voton Jahjaga: Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese
Paraditen e sotme ka votuar edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Në përfundim të ushtrimit të së drejtës së saj të votës, presidentja e Kosovës tha se “Bëra obligimin tim si qytetare”, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje.
“Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Me anë të të drejtës së tyre ligjore, qytetarët ndihmojnë vendin. Zgjedhjet dëshmojnë demokratizimin dhe pjekurinë e shtetit”, tha Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
(Në foto: Jahjaga duke votuar) Foto të tjera
Ora 10:07 Shefi i misionit vëzhgues të BE, Gualtieri: Procesi i votimit po shkon në rregull
Vëzhgues të misionit të Bashkimit Evropian tashmë kanë filluar vëzhgimin për zgjedhjet parlamentare në gjithë vendin. Shefi i Misionit vëzhgues të BE-së, Roberto Guiltieri ka vizituar qendrën e votimit në fakultetin Filologjik dhe sipas tij deri më tani gjithçka është në rregull.
“Jemi duke vëzhguar zgjedhjet në tërë territorin e Kosovës, në kemi vëzhguar hapjen e disa qendrave të votimit deri më tani, jemi prezent në të gjitha komunat në Kosovë. Deri tani gjithçka është duke rrjedhur mirë, natyrisht ne do të kemi edhe një vlerësim të përgjithshëm në fund pra do të kemi një deklaratë përfundimtare gjatë ditës së nesërme. Shpresojmë se prezenca jonë do të ndikojë që të kemi zgjedhje fer, transparente dhe demokratike që natyrisht janë shumë të rëndësishme për Kosovën”, theksoi ai.
Të rikujtojmë se prezenca e vëzhguesve të BE-së është me ftesë të presidentes, Atifete Jahjaga dhe numri i tyre që janë vendosur në gjithë Kosovë është mbi 90 vëzhgues. Një pjesë e tyre ka arritur në Kosovë për të përcjellur edhe fushatën parazgjedhore.
Ora 10:05 Ambasadorja e SHBA në Kosovë, Jacobson: Dilni votoni
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, i është bashkangjitur thirrjeve për qytetarët e Kosovës që të dalin në votime.
Përmes një postimi në "Twitter", ambasadorja Jacobson ka bërë thirrje që të dilet në votime në mënyrë që të dëgjohet zëri i votuesit. “Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet sot. Dilni dhe votoni”, ka shkruar Jacobson në Twitter.
Ora 09:55 Kosovë, votoi edhe Kryetarja e Komunës Gjakovë, Mimoza Kusari
Të drejtën e votës e ka ushtruar edhe Kryetarja e Komunës Gjakovë, Mimoza Kusari, rreth orës 09:55.
Kryetarja e Gjakovës tha se “qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve”.
“Qytetarët të zgjedhin kandidatët më të besuar”, tha Mimoza Kusari.
Ora 09:50 Voton kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi
Mëngjesin e sotëm ka votuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi, në shkollën fillore “Faik Konica”. Kreu i PDK, Hashim Thaçi pas ushtrimit të së drejtës së votës tha “Unë votova numrin 58, “Misionin e Ri”.
“Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë ,për Kosovës, në historinë e re të vendit tone, në këtë proces shumë të rëndësishëm të forcimit të shtetin tonë. Shteti ynë është shtet i ri evropian, i mundësive të mëdha zhvillimore, çdo mundësi jemi zotuar që t’i shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve. Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë, për qytetarët e Kosovës, uroj të gjithë qytetarët e vendit dhe ftoj për pjesëmarrje në zgjedhje, që ky proces të jetë i drejtë, i lirë demokratik, për çka kam besim të plotë. Kam besim të plotë që sot Kosova, qytetarët e saj, spektri politik do të dërgojë mesazhe për botën, se në Kosovë demokracia është në veprim, demokracia po zhvillohet . Është një betejë e konkurrencës ndërsa në të njëjtën kohë sot është ditë e veçantë e ditë historike, është dita e misionit të ri.”- tha Hashim Thaçi.
Ora 09:45 Shënohet incidenti i parë në Prizren
Prokurorja e shtetit, Laura Pula dhe zëdhënësi i policisë, Baki Kelani në një konferencë për media kanë thënë se deri më tani në të gjitha vendvotimet nuk është shënuar asnjë incident me përjashtim të një rasti në Prizren ku një qytetare është penguar nga një zyrtar zgjedhor i cili është ndërruar menjëherë dhe procesi i votimit ka shkuar normalisht.
Prokuroria bëri me dije se në terren janë 100 prokurorë dhe 300 ndihmës për vëzhgim.
Ora 09:35 Voton kreu i LDK: Ftoj qytetarët të votojnë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka votuar në qendrën e votimit 1922e në vendvotimin 05r në shkollën fillore “Emin Duraku”.
Kreu i LDK-së, tha se qytetarët e vendit me votën e tyre do të vendosin për qeverisjen e ardhshme të vendit.
Ai po ashtu ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta kryejnë obligimin e tyre.
Ora 08:00 Voton kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj
“E shfrytëzova të drejtën time për të votuar. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë. Me votë vendosim për jetën tonë jo vetëm këto vite por edhe më tutje, prandaj është me rëndësi që të votojmë të gjithë”, -tha lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.