Kosovarëve iu vodhën 250 milionë
euro në bankat e ish-Jugosllavisë

Kosovarëve iu vodhën 250 milionë<br />euro në bankat e ish-Jugosllavisë
Sistemi bankar në vend është i brishtë, ndërkaq mundësitë për uljen e normave të interesit ekzistojnë, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Flamur Keqa, udhëheqës i Institutit për Banka dhe Financa. Shqetësim tjetër për zotin Keqa, është moskërkesa nga autoritetet kompetente prej Serbisë, për kursimet devizore në bankat e ish-Jugosllavisë që në atë kohë kanë vepruar në Kosovë. Sipas tij, vetëm në dy banka të atëhershme, kursimtarëve iu kanë humbur 500 milionë marka.

Zoti Keqa, a konsiderohet i sigurt sistemi bankar financiar në vend?

Sistemi bankar financiar, nga dukja apo përshtypja e jashtme, të jep shenja të një sistemi të sigurt bankar financiar, ashtu edhe siç prononcohen institucionet financiare. Siguria e tillë buron edhe nga vetë fakti se ofrojnë produkte bankare tradicionale dhe për këtë arsye nuk janë prekur nga rreziqet ndërkombëtare financiare që i prekën sidomos tregjet e zhvilluara financiare para disa vjetësh. Megjithatë, kur të analizohet më thellë sistemi bankar dhe trendët në sistem, shihet se edhe sistemi financiar i ka rreziqet e veta që e bëjnë këtë sistem më të brishtë dhe jo shumë të sigurt ashtu siç pretendohet.

Këtë mund ta vërejmë te diferenca e madhe në maturitet të mjeteve dhe burimeve të mjeteve të bankave që në një moment të caktuar apo të pavolitshëm, mund të sjellë probleme të jolikuiditetit dhe problemet tjera financiare që lidhen me jolikuiditetin e bankës, siç janë mjaftueshmëria e kapitalit dhe indikatorë tjetër që tregojnë shëndetin e sistemit bankar

Një problem tjetër që ka dalë gjatë analizës është se protofolio kreditore e bankave në vazhdimësi po përkeqësohet. Do të thotë gjithnjë e më tepër po kemi kredi problematike, të cilat e rëndojnë sistemin bankar. Kjo përqindje e kredive problematike po ngrihet në vazhdimësi dhe ky është edhe një element që tregon se sistemi bankar nuk është shumë i sigurt, megjithatë ka një brishtësi brenda saj.

Kamatat e kredive vlerësohen të larta, ka mundësi që këto kamata të ulen?

Pa dyshim se unë kam qenë ithtar dhe kam bërë ftesë gjithmonë që bankat në Kosovë t’i ulin kamatat në treg, sepse edhe bizneset dhe familjet kosovare po kanë nevojë për mjete me çmime më të volitshme. Kanë ndodhur edhe disa gjëra në tregun financiar dhe ekonomik, të cilat po ndihmojnë që bankat realisht t’i zbresin normat e interesit.

Është krijuar fondi për sigurimin e depozitave, është një indikator që do të përcaktojë që bankat t’i zbresin kamatat e tyre. Pastaj është regjistri i kredive që më herët ka qenë jo shumë i konsoliduar, regjistër për të cilin kanë pasur shumë nevojë bankat, në mënyrë që të kenë informacione sa më të bollshme dhe sa më kualitative, sa i përket klientëve të tyre dhe ky regjistër i kredive është konsoliduar në një masë mjaft të mirë. Do të thotë se vetëm këto dy elemente mundësojnë që bankat t’i ulin kamatat e tyre dhe ta ndihmojnë ekonominë dhe familjet kosovare.

Nëse mundësitë ekzistojnë, cilat janë arsyet pse bankat nuk ulin normat e interesit?

Edhe banka si çdo biznes tjetër privat pretendon që të ketë një fitim sa më të madh, pasi këtë e kërkojnë edhe aksionarët. Megjithatë , unë nuk jam ithtar i asaj që fitimi të jetë shumë i lartë, kurse bizneset dhe familjet të dëmtohen nga këto kamata tepër të larta . Do të ishte më vizionare për bankat që në treg të ofrojnë kamata më stabile dhe të arsyeshme dhe kjo do të determinonte që bizneset dhe familjet që marrin kredi konsumuese, ta kenë më të lehtë kthimin e atyre kredive. Kjo, pra, determinon që kreditë problematike të jenë në nivel më të ulët.

A mund të ketë ndonjë ndikim Instituti për Banka dhe Financa në këtë drejtim, apo cili është roli i institutit që udhëhiqni ju?

Instituti për Banka dhe Financa, për qëllim kryesor ka krijimin e kuadrove të reja për ata që  kanë ambicie karriere në kuadër të sistemit financiar. Motoja e Institutit për Banka dhe Financa është që të ofrojë kualitet në shërbimet tona, të ofrojmë ligjërues shumë kualitativë me çka krijojmë fuqi punëtore në tregun financiar bankar shumë profesional. Po ashtu, IBF-ja merret me hulumtime dhe analiza të caktuara në fushën ekonomike në përgjithësi, dhe në fushën e bankave dhe financave në veçanti.

Një tjetër produkt që ofron Instituti për Banka dhe Financa, është edhe publikimi. Tash së  fundi ky institut ka dalë me një publikim të quajtur  “Të kuptuarit e financave personale” dhe është një publikim që ka për qëllim ngritjen e edukimit dhe kulturës financiare të qytetarëve dhe familjeve kosovare.   

Kosova nuk ka sistem të politikave monetare. Sa e dëmton një mungesë e tillë ekonominë kosovare?

Mungesa e politikës monetare, në një masë të caktuar e dëmton ekonominë. Edhe pse politika monetare moderne, e sidomos ajo në Evropë, nuk lejon mundësi që sikurse më parë të shfrytëzohet në masë për të arritur qëllimet e caktuara ekonomike. Megjithatë, në parim e pengon ekonominë kosovare. Dihet që Kosova është tepër e kufizuar në udhëheqjen e politikës monetare në krahasim me shtetet tjera në rajon, por edhe në ato të Bashkimit Evropian. Mirëpo, ka raste që politika monetare apo emetimi i parave në shtetet e caktuara keqpërdoret.

Historia na ka treguar, sidomos në sistemin e ish- Jugosllavisë kur janë bërë emetime të tepërta të parasë dhe kjo ka shkaktuar mega - inflacione. Ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe qytetarin e vendit. Kështu që, një anë, ndoshta është mirë që politika monetare është shumë e kufizuar, pasi në këtë rast politikanët, por dhe qeveritarët dinë që ta luajnë lojën, për të mbijetuar sa më tepër në pushtet, ta përdorin politikën monetare si instrument të tillë.

Cilat kushte duhet t’i plotësojë Kosova që të ketë valutë nacionale? A duhet të punohet në këtë drejtim?

Para luftës kur mendonin që të krijonin një shtet, unë personalisht dhe të tjetër kemi ëndërruar që kemi një valutë nacionale. Në atë kohë, valutën nacionale të Kosovës e patëm pagëzuar me emrin “Dardan”.  Megjithatë, pas luftës, Kosova ka ambicie që të jetë pjesë e familjes evropiane dhe trendët shihen që Evropa ka punuar në unifikimin të valutave për të pasur vetëm një valutë evropiane. Kështu që, mendoj se vizoni që të kemi një valutë nacionale në kohën e tanishme ku gjendet Kosova, është diçka e tepërt. Ose me fjalë të tjera, euro, si e tillë, e ka ndihmuar stabilitetin ekonomik dhe financiar të Kosovës nga pas lufta, sepse disponimi me një valutë tjetër, me siguri se do ta rëndonte ekonominë, por edhe financat e Kosovës.

Zoti Keqa, t’iu kthehemi viteve të mëparshme. Në periudhën e luftës thuhet se qytetarët kanë humbur shumë depozita dhe kursime në bankat e atëhershme të Jugosllavisë. Sa është kjo shumë dhe a duhet të shfaqet interesimi për kthimin  e tyre?

Unë jam shumë i pakënaqur me të gjitha qeveritë në këtë drejtim, që nuk kanë ndërmarrë asnjë hap lidhur me me kërkesën drejtuar organeve serbe për të marrë kursimet e vjetra devizore. E di që pas luftës kanë pasur disa grupe punuese të ekonomistëve, të cilët kanë punuar në drejtim të krijimit të kërkesave financiare dhe ekonomike të shtetit serb.

Po të gjitha këto punë kanë mbetur brenda këtyre grupeve, kështu që ato grupe dhe ato informata nuk kanë qenë transparente. Sikur ata informata të ishin më transparente për qytetarin, unë besoj se secili qytetar, ekonomist apo dikush që ka pasur informata të mjaftueshme do të rriste këtë kërkesë të shtetit të Kosovës viza-vi shtetit të Serbisë.

Sipas informatave, me të cilat disponoj, vetëm në dy bankat kryesore që kanë operuar në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë, në “Jugobank” dhe “Bankos’, shuma që pretendohet se iu është vjedhur kursimtarëve të Kosovës, është rreth 500 milionë marka apo përkthyer në euro 250 milionë euro.

Kjo informatë është shumë e kufizuar, është informatë që në një formë edhe shteti serb e ka publikuar. Pra, vlen vetëm për dy bankat, e dihet që në Kosovë kanë operuar edhe banka tjera, që do të thotë, kursime ka pasur edhe në bankat tjera. Dhe, kjo shumë prej 250 milionë euro, ka të bëjë vetëm me kursimet devizore dhe jo me dinarë, ç’gjë, sipas meje, kërkesa e depozitorëve të kursimtarëve të Kosovës, duhet të ngritet në nivel më të lartë.

Marrë nga Radio Evropa e Lirë
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024