Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2026 edhe pse pak ditë më parë në Parlament, Albin Kurti nuk arriti dot ta formonte kabinetin e ri qeveritar.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë te ditur se ndarja buxhetore për vitin financiar 2026, do të jetë 4 miliardë euro.

"Buxheti i ri do të jetë 4 miliardë euro. Rreth 1 miliard euro janë buxhetuar për investime kapitale. Me këtë buxhet do të ketë pagë të 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë për 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune në sektorin publik”, tha Kurti.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria në detyrë gjithashtu e rriti pensionin minimal nga 120 në 150 euro, si dhe shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç për 50 për qind.

Rreth 200.000 pensionistë dhe mbi 400.000 fëmijë do të përfitojnë nga këto rritje qysh nga 1 nëntori, tha Kurti.

Megjithatë ende nuk është e qartë nëse ky projektligj për buxhetin 2026 mund të shqyrtohet dhe hidhet në votim në Kuvendin e ri të Kosovës. Shumë ekspertë ligjorë vlerësojnë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri të vendit.