PRISHTINË, 23 Dhjetor /ATSH/- Komisioni parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, paraqiti sot 5 amendamente në projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2015, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e fondeve për disa kategori të investimeve kapitale, ndërsa pjesa e mbetur propozohet të destinohet për projekte të reja.
Shqyrtimi nen për nen i projektbuxhetit, i miratuar mbrëmë në parim në Kuvend, do bëhet të hënën e ardhshme, në 29 dhjetor.
Kuvendi ngarkoi komisionin përkatës parlamentar që ta shqyrtojë dhe amendojë brenda afatit të përcaktuar projektligjin për buxhetin e shtetit, i cili vlerësohet pozitivisht nga maxhoranca, ndërsa cilësohet si buxheti i "thellimit të varfërisë", nga opozita.
Të ardhurat e përgjithshme buxhetore për vitin 2015 janë planifikuar të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, që është një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014./b.j//m.m/