Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se çelësi i marrëveshjes mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është pajtueshmëria për “balancë demokratike”.

Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.

“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se nuk dëshiron të flasë për emra për postin e presidentit, duke ngulur këmbë se partia e tij meriton postin.

“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, tha ai.

“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë, nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, shtoi ai.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Nis seanca konstituive e Kuvendit, pritet zgjedhja e kryeparlamentarit të ri