/ATSH/- Qytetarë dhe drejtues të komunës së Prishtinës zhvilluan sot homazhe për nder të "Ditës së Krenarisë", në varrezat e dëshmorëve të kryeqytetit kosovar, për të nderuar veprën dhe sakrificën e bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi vendosi kurora me lule tek varrezat e dëshmorëve dhe shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti, tha se "këtu po bëjmë homazhe edhe para shtatores së "Zahir Pajazitit", një ndër anëtarët dhe pjesëtarët e parë të UÇK-së, hapat e të cilëve i kanë ndjekur pastaj edhe shumë të tjerë. Prandaj po e them se sot mund të ndihemi vetëm krenarë që gjendemi në sheshin Zahir Pajaziti, që kemi mundësi të nderojmë veprën e tij dhe dëshmorëve të tjerë. Dhe në këtë ditë kemi ndjenja të përziera edhe të pikëllimit edhe të krenarisë".
Ahmeti tha se shumë shpejt komuna do të bëjë rregullimin e varrezave të dëshmorëve.
Homazhe për të nderuar dëshmorët e kombit kanë bërë edhe zyrtarë të opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj tha se as qeverisja e kaluar e as kjo e tanishmja, nuk janë duke bërë asgjë për dëshmorët, duke thënë se mbetet shqetësuese gjendja e varrezave të dëshmorëve.
Ai shoti se sot është ditë krenarie dhe dhimbje sepse ata mungojnë në mesin tonë, por në anën tjetër edhe na bëjnë krenarë që i njohëm dhe u jemi mirënjohës për sakrificën e tyre që bënë për hir të brezave të ardhshëm.
Komuna e Prishtinës bashkë me organizatën e dalë nga lufta e UÇK-së do të organizojnë aktivitete të ndryshme deri më 23 prill, për ndër të dëshmorëve./KosovaPress/