Kosovë- Akademia e Shkencave përkrah rektorin e Univeristetit të Prishtinës


 
PRISHTINË, 5 Dhjetor/ATSH/.- Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës përkrah rektorin e Univeristetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, lidhur me çështjen e listës së kategorive të dala nga Lufta, duke thënë se ndërhyrjet nga jashtë, tensionimet si këto të fundit dhe kërcënimet ndaj rektorit, vetëm sa e thellojnë krizën në këtë institucion.
Akademia ka kërkuar nga të gjithë të jenë të matur dhe të përgjegjshëm në vlerësime, ndërhyrje e nxitje dhe të shquajmë atë që është thelbësore për interesat e UP-së dhe të vendit.
Në një deklaratë të Akademisë së Shkencave thuhet se "udhëheqja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe rreth tij. Tensionimet e fundit kanë marrë përmasa shqetësuese. E tërë kjo situatë tendosjeje në UP ndërlidhet me praktikat e gjata të ndërhyrjeve të ndryshme, të drejtpërdrejta a të tërthorta, nga jashtë në punën e këtij institucioni të pavarur. Pasojat e një gjendjeje të tillë, bashkë me ritmet e paharmonizuara të zhvillimeve e sollën UP-në në një gjendje të vështirë, me rreziqe për proceset e ligjshmërisë në funksionimin e tij".
"Zgjedhja e Rektorit të ri - profesor dr. Ramadan Zejnullahut dhe veprimet e tij në drejtim të respektimit të ligjshmërisë dhe të stabilizimit të gjendjes të përcjellë me çrregullime për vite të tëra janë një shpresë për zhvillime të reja në drejtim pozitiv në këtë institucion të rëndësishëm arsimor-shkencor të Kosovës dhe të rajonit",  theksohet në deklaratë.
Jemi të ndjeshëm, vijon deklarata, edhe për kërkesat dhe nevojat e shtresave të ndryshme të popullsisë, sidomos të pasardhësve të pjesëmarrësve të UÇK-së në luftën e viteve 1998-99, por besojmë se shoqëria dhe institucionet munden dhe duhet të gjejnë rrugë për mbështetjen e tyre duke krijuar rrethana për respektimin e ligjshmërisë dhe të pavarësisë institucionale të Universitetit të Prishtinës, ashtu si të të gjitha institucioneve të tilla në vend.
"Kërkojmë nga të gjithë të jemi të matur dhe të përgjegjshëmnë vlerësime, ndërhyrje e nxitje dhe të shquajmë atë që është thelbësore për interesat e UP-së dhe të vendit", përfundon deklarata./KosovaPress/k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë