PRISHTINË, 21 Gusht /ATSH-B.Jashari/.-Në seancën e sotme dëgjimorë në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi i PDK-së,  koalicionit parazgjedhor, nënkryetari i partisë e deputeti Arsim Bajrami, ka kërkuar  anulimin e vendimin të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut për zgjedhjen e kryetarit të LDK, deputetit Isa Mustafa kryeparlamentar.
Përfaqësuesja e koalicionit paszgjedhor, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka mbrojtur kushtetutshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës duke theksuar se deputeti ka të drejtë të vendos se cilit grup parlamentar t'i takoje.
Edhe subjektet që kanë fitur mandate në Kuvend, kanë përfaqësim në seancë, mes të cilave Lëvizja Vetëvendosje me deputeten Albulena Haxhiu, e cila po ashtu prezantoi argumentet e saj, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese s'është e autorizuar të bëj interpretime të Grupeve Parlamentare dhe as të interpretojë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se para gjykatës do të dëgjojnë vetëm argumentet juridike lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të 17 korrikut./i.v//a.ke/