Prokurori i Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sistemi Prokurorial bën me dije se prokurori është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. Pas arrestimit, policia ka kryer edhe një kontroll të imtësishëm në banesën e tij
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, një person zyrtar që në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthortë kërkon ose pranon ryshfet në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga një deri në tetë vjet. Personi zyrtar po ashtu mund të dënohet me 12 vjet burgim nëse veprimi i kryer është në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Komente







