- Ministria e Financve nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore-
PRISHTINË, 15 Janar/ATSH/.- Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, nënshkruan sot marrëveshjen për kredi me vlerë 45 milionë euro, për financim të Projektit për Reformën Shëndetësore dhe Marrëveshjen për Projektin për Energji Efiçente - Energji të Ripërtëritshme.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Hoti theksoi se "dje në mbledhjen e qeverisë kemi aprovuar planin vjetor të qeverisjes. Energjetika bashkë me zhvillimin ekonomik dhe shëndetësinë janë dy fusha që janë prioritet i qeverisë. Ne do t'i mbështesim dhe këto dy projekte që kontribuojnë në përpjekjet e qeverisë për të çuar përpara këto dy sektorë shumë të rëndësishëm, si për aspektin social të qytetarëve të Kosovës, por edhe për zhvillimin ekonomik afatgjatë përmes përfundimisht zgjedhjes së problemit të furnizimit me energji elektrike".
Sipas tij, shuma e projekteve është 19.95 milion euro për shëndetësinë edhe 24.3 milionë euro për efiçencë të energjisë.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, theksoi se "me nënshkrimin e kësaj marrëveshje do të mund të realizohen synimet e qeverisë".
"Kryeministri dje dhe ministrat sot, kanë treguar përkushtimin e tyre të madh për disa nga sfidat më të mëdha të Kosovës për rritje ekonomike dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Me nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve sot jemi më afër arritjes së atyre dy synimeve të kësaj qeverie". "Marrëveshja e parë, efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme: e kemi thënë me kohë se vëmendja e medias është shpesh në pyetje të një shkalle të lartë të prodhimit të rrymës përmes termocentraleve, por në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë po ashtu, mënyra më efektive për të mbushur boshllëkun në furnizimin me energji është duke shfrytëzuar energjinë që keni në mënyrë më efikase", u shpreh Goldstein.
Në ceremoni morën pjesë edhe Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, si dhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani. /KosovaPress/k.s/