PRISHTINË, 17 Dhjetor/ATSH/.- Në vizitën në Bruksel, ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, zhvilloi sot takim me Jean-Éric Paquet, drejtorin për Ballkanin Perëndimor nga Drejtoria e Përgjithshme për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim në Komisionin Evropian.
Gjatë takimit, ministri Çollaku dhe Paquet folën për të gjitha çështjet teknike të procesit të integrimit Evropian dhe për axhendën e reformave për vitet e ardhshme.
Sipas njoftimit të dërguar nga ministria kosovare, ata diskutuan më gjerësisht rreth Marrëveshjes Stabilizim Asocim ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbështetjen Financiare të BE-së ndaj Kosovës në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarsimit (IPA), si dhe reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe çështje të tjera të ndërlidhura me procesin e liberalizimit të vizave./b.j/k.s/








