Bashkimi Europian ka shprehur shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së dhe u bën thirrje të gjitha partive që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagimin e Zyrës së shtypit të BE-së.

Më tej, theksohet se është e rëndësishme që të gjithë deputetët e zgjedhur të jenë në gjendje të sigurojnë ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës.

Lista Serbe paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 2 shkurt, lidhur me vendimin e KQZ-së. Lista Serbe e përshkroi vendimin e 2 shkurtit si "të paligjshëm dhe diskriminues", duke thënë se ai anulonte më shumë se 42.000 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Në ato zgjedhje, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Ndërkaq, Bashkimi Europian tha ndër të tjera se legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e orientuara drejt BE-së dhe të ratifikojë marrëveshjet e pezulluara që lidhen me planin e rritjes, në dobi të popullsisë së Kosovës.

Kosova pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro nga plani i rritjes. Megjithatë, për nisjen e pagesave të kësteve të para nga kjo pako financiare, nevojitet miratimi i marrëveshjeve përkatëse në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk ishte e mundur gjatë vitit të kaluar për shkak të ngërçit politik.