PRISHTINË, 1 Tetor /ATSH-B.Jashari/ - "Me kërkesë të deputetes Flora Brovina, shtyhet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës", thuhet në njoftimin e sapodërguar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës.
Bëhet e ditur se, "në letrën e znj. Brovina dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës thuhet: 'Duke u bazuar në rolin kushtetues të Presidentës së Republikës së Kosovës për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe fillimin e lehtësimit të procesit të arritjes së marrëveshjes politike me liderët e partive politike. Me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, konsideroj të nevojshme dhe domosdoshme shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, në mënyrë që seanca të përfundoje me sukses. Kërkoj mirëkuptim nga deputetët për shtyerjen e seancës në këtë moment delikat për tërë vendin'".
Më parë, sot, në njoftimin po ashtu zyrtar të dërguar nga Kuvendi, konfirmohej paralajmërimi i bërë në faqen zyrtare të Kuvendit që prej disa ditësh se vazhdimi i Seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës (Legjislatura V) mbahet nesër, e enjte, 2 tetor, në orën 10:00, me rend dite "Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit", sikur edhe në 17 korrik e 18 shtator, kur u ndërpre dy herë me radhë seanca e thirrur pas zgjedhjeve parlamantare të parakohshme të para gati katër muajve, 8 qershorit.
Brovina, si deputetja më e vjetër e Legjislaturës së Pestë të zgjedhjeve të parakohshme të para gati katër muajve, 8 qershorit, është kryesuese e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të nisur në 17 korrik e të ndërprerë dy herë.
Media në Prishtinë në këto momente raporton se kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina, e ka shtyrë seancën konstituive pa pyetur askënd.
Ajo është mjaftuar me një njoftim që ua ka dërguar deputetëve të të gjitha partive, ku i njofton se për shkak të "situatës delikate", ka vendosur që ta shtyjë seancën, deri në afat të pacaktuar.
Brovina, nuk e ka mbështetur në asnjë nen të rregullores së punës së Kuvendit, shtyrjen e seancës, sipas medias. /a.ke/









