PRISHTINË - Grupet e punes të PDK-së dhe LDK-së takohen intensivisht për finalizimin e marrëveshjes për koalicionin dhe harmonizimin e programit të ardhshëm qeverisës, pas pajtimit në parim të liderëve në mbrëmjen e 19 nëntorit.
Ende nuk ka njoftime zyrtare nga grupet e punës, ndërsa kryetari i PDK-së e kryeministër drejt përfundimit të mandatit të dytë, Hashim Thaçi, është shprehur me optimizëm për marrëveshjen dhe krijimin e institucioneve.
"Është një koalicion i shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe flas me optimizëm dhe me bindje të plotë se gjithçka do të shkojë sipas asaj që jemi marrë vesh", ka theksuar ai duke iu përgjigjur interesimeve të medias pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së partisë që drejton.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, menjëherë pas takimit të parë me kryetarin e PDK-së dhe pajtimit në parim për koalicion është shprehur se, "me përkushtimin më të madh do të angazhohem që të realizojmë synimet për një qeverisje të mirë të vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe për partneritet evropian".
Ndërsa deklarata e përbashkët PDK-LDK pas takimit të dytë Thaçi-Mustafa në mbrëmjen e të dielës së 23 nëntorit, paralajmëronte se "brenda javës do të saktësohet edhe data e vazhdimit të seancës për zgjedhjen e organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë".
Në pritje të finalizimit të marrëveshjes PDK-LDK, nga Kuvendi i Kosovës ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për datën e rivazhdimit të seancës konstituive, e cila, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, u mblodh dhe u ndërpre në 17 korrik, vazhdoi dhe u rindërpre në 18 shtator, ndërsa rithirrja për 2 tetor u shty nga kryesuesja, pasi koalicioni parazgjedhor nuk kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk kishte të drejtën për të propozuar kandidatin, sipas aktgjykimit të Kushtetueses./ATSH/








