PRISHTINË- Drejtori Politik në Departamentin për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Francës, Erci Fournier, tha sot në Prishtinë se, krijimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri dhe i gjithë procesi duhet të jetë në kuadrin ligjor të vendit tha sot në Prishtinë.
Në takim sot me Presidenten Jahjaga, ai vlerësoi angazhimin e institucioneve të Kosovës në përpjekjet globale për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit dhe tha se kjo luftë është pjesë e përbashkët e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Atifete Jahjaga tha se Kosova sot po luan një rol të rëndësishëm si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe është e përkushtuar që të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore, përfshirë edhe me Republikën e Serbisë, me të cilën ka hyrë në dialog të lehtësuar nga BE-ja, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura.
Presidentja e Republikës së Kosovës njohu drejtorin Fournier, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Republikës së Francës në Prishtinë, Maryse Daviet, me arritjet e Kosovës, duke theksuar ndërtimin e marrëdhënieve të reja me BE-në përmes inicializimit të MSA-së.
Presidentja Jahjaga u shpreh se Kosova sot është në përpjekje të krijimit të institucioneve dhe se si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve ajo po luan rolin kushtetues të saj në lehtësimin e diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare me qëllim të tejkalimit të impasit të krijuar./ATSh/