Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ambasadoren e re të Republikës Federale të Gjermanisë, Angelika Viets.
Në takimin e organizuar është diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë, i cili rezulton të jetë mjaft i mirë, e gjithashtu për gatishmërinë që ky bashkpunim te thellohet në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

Kryeministri Thaçi ka shprehur falenderimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin, në të gjitha proceset e rëndësishme, duke hapur kështu mundësi të reja për shtetet e Europës Juglindore.

"Diplomacia gjermane është treguar parimore dhe pragmatike në mbështetjen për tejkalimin e sfidave në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, investitorët gjermanë i kanë dhënë shpresë ringjalljes së ekonomisë në shtetet tona, sepse ata janë të bindur se stabiliteti i krijuar në rajon është plotësisht i qëndrueshëm", u shpreh kryeministri Thaçi.

Ambasadorja Viets pasi ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, për pritjen e përzemërt, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin, në interes të të dyja vendeve. /ATSH/