Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Bedri Hamza, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, pas vendimit të fundit të marrë në Hagë.

Hamza në një postim në rrjete sociale ka shkruar se gjatë vizitës u ka shprehur familjeve mbështetjen e tij, duke theksuar se ato nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë kurrë.

Ai gjithashtu ka shkruar se dhimbja e familjeve është edhe dhimbje e popullit të Kosovës, ndërsa u shpreh krenar për ish-krerët e UÇK-së dhe luftën për liri.

“Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë.

Jemi krenarë për ta, për luftën tonë për liri dhe për gjithçka që ata përfaqësojnë në historinë dhe shtetin tonë. Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë. Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!”, shkruan ai.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.

Për Hashim Thaçin, trupi gjykues se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.

Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".

 

Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.

 

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar.