/ATSH/.- Tre karikaturistët Selajdin Hajdini, Imri Musliu dhe Agron Sejdiu, mbrëmë në Galerinë e Arteve të Ferizajt hapën ekspozitën e parë me punimet e tyre në këtë zhanër të artit pamor.
Dashamirësit e karikaturës patën rastin të shohin qindra punime të këtyre autorëve, ndërsa u tha se kjo është hera e parë që në Ferizaj po paraqitet një ekspozitë e tillë me numër të madh të karikaturave. Kjo ekspozitë është fryt i punës shumëvjeçare të këtyre karikaturistëve nga Ferizaj, të cilët bashkuan punimet e tyre për t'i ofruar publikut një ekspozitë ndryshe.
Sipas KosovaPress, ekspozita zgjoi interesim të madh të publikut, i cili e vizitoi në numër të madh.Një nga autorët, Imri Musliu, tha se "nuk ka pritur një interesim dhe numër kaq të madh të vizitorëve. Përgatitjet për këtë ekspozitë na kanë marrë shumë kohë, por mundi ynë rezultoi me sukses".
"Ndonëse kemi bërë një përgatitje të mirë për këtë ekspozitë nuk kemi pritur një fluks të tillë të vizitorëve. Përveç këtyre karikaturave përmes kësaj ekspozite kemi dhënë edhe një mesazh edhe për të tjerët se një punë e përbashkët mund të kurorëzohet me sukses", tha Musliu.
Ekspozitën e kanë vlerësuar edhe pjesëmarrësit e tjerë, duke uruar për punën e mirë të këtyre karikaturistëve. Publicisti ferizajas Bardh Frangu u shpreh se karikatura është një mall kulturor shumë defiçitar në Kosovë.
"E ndjeva veten krenar që kjo ekspozitë e karikaturës po organizohet në Ferizaj. Është një ngjarje e madhe kulturore sepse karikatura është shenja më identifikuese e civilizimit për një vend. Kjo për faktin se kritika dhe imazhi që ndërton karikatura mbetet gjatë në kujtesë", tha Frangu.
Ambasadori i karikaturistëve për Kosovën, Gani Sunduri, theksoi se është këtu për të përfaqësuar këta tre artistë në botën e karikaturës.
"Besoj që kjo ngjarje nuk do të mbetet vetëm në Kosovë, por këto punime do të ekspozohen në 100 vendet në të cilat e përfaqësoj karikaturën", nënvizoi Sunduri.
Drejtori i Drejtorisë për Kulturën në Ferizaj, Naim Ferati, tha se "besoj që këta autorë edhe në të ardhmen do të na ofrojnë edhe ekspozita të tjera, ku ne, si drejtori do t'i mbështesim aq sa kemi mundësi", tha Ferati./k.s/