Në ditën e dytë të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës politika në vend ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryeministri Kurti bashkë me kabinetin qeveritar, tha se familjes Jashari ia kanë borxh të përjetshëm dhe të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm që të ruajnë dhe të mbrojnë shtetin, por nuk pranoi të komentonte vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
“Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së në ora 13:00. E kemi edhe një ekspozitë në hollin e Kuvendit, pastaj në ora 19:00 e kemi akademinë përkujtimore, për të gjitha çështjet e politikës ditore do të mund të flas dhe t’iu përgjigjem nga Prishtina”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nderime për të rënët e luftës kanë organizuar edhe veteranët, të cilët kanë ndërtuar një agjendë të ndarë nga ajo e qeverisë. Sipas tyre, ekzekutivi nuk i ka përfshirë në organizim.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve. Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.
Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Komente










