/ATSH/.-Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ftoi sot në takim Grupin e Punës për Liberalizimin e Vizave, ku njohu përfaqësuesit e institucioneve për kontekstin politik të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe njoftoi për sfidat e mbetura në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Në një njoftim për shtyp nga ministria e Integrimit Evropian thuhet se gjatë takimit u diskutuan kriteret e mbetura në kuadër të zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Institucionet respektive raportuan në kuadër të Grupit Punuës për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrin me qëllim të adresimit të kritereve të mbetura.

Ministri Çollaku tha se, "qeveria e Republikës së Kosovës ka rënë dakord me Komisionin Evropian për të dërguar një raport përfundimtar mbi zbatimin e kritereve të mbetura. Ky raport do t'i dërgohet Komisionit Evropian vetëm atëherë kur të vlerësojmë se kemi arritur të përmbushim të gjitha veprimet dhe masat e parashikuara me dokumente strategjike. Prandaj, sa më shpejt të adresohen kriteret e mbetura aq më shpejt do të dërgohet raporti në Bruksel, duke i hapur rrugë kështu Komisionit Evropian për të dërguar edhe një mision vlerësues para se të nisen procedurat e brendshme të BE-së për ndryshimin e rregullores 539/2001, pra të rekomandojë që Kosova të futet në listën e vendeve që mund të udhëtojnë në BE pa viza".

Grupi i Punes konkludoi punimet me ndarjen e detyrave për secilin institucion përgjegjës dhe dakordimin e afateve kohore për zbatimin e kritereve të mbetura.