Gjykata Themelore të Prishtinës ka dënuar me 6 vjet burg ish-punonjësen e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq për spiunazh.
Ajo akuzohej se gjatë ushtrimit të detyrës së saj si zyrtare e OSBE-së në Kosovë ka përcjellë informacione te agjenti rezident i BIA-s, Aleksandër Vlajiq. Këto informacione, sipas Prokurorisë, më pas janë transmetuar te zyrtarë të lartë të BIA-s në Beograd.
Nga të dhënat e ekzaminuara autoritetet zbuluan se Gjukanoviq e kishte informuar në vazhdimësi agjentin serb Aleksandër Vllajiq përmes komunikimeve në shtatë numra të ndryshëm të tij dhe në disa raste ishte takuar edhe me zyrtarin tjetër të BIA-s Lubisha Bukoviq, në Beograd.
“A lexuat se [kryeministri i Shqipërisë, Edi] Rama u dërgoi letër anëtarëve të BE-së për ta liruar [ish-presidentin, Hashim] Thaçi, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, historinë që Dick Marty bëri akuza të rreme për trafikim të organeve...”, ishte një prej mesazheve që ajo këmbeu me Vllajiqin, zyrtarin e BIA-s.
Në aktakuzë gjithashtu thuhet se në ditën kur ka ndodhur sulmi ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në vitin 2022, ka pasur komunikim mes Gjukanoviq dhe Vllajiq, i cili tashmë është dënuar në shkallë të parë për të njëjtën vepër penale.
Sipas prokurorisë, Gjukanoviq ka ndihmuar BIA-n duke dërguar përmbajtje sensitive që lidhet me çështje politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Gjukanoviq, me origjinë nga Mitrovica e Veriut u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, në shkurt të vitit 2025, ndërsa aktakuza ndaj saj u ngrit në shtator të po atij viti.
Ajo e ka mohuar fajësinë
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia.
Së fundmi autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.
Ekspertët atje thonë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me 6 vjet burg Jelena Gjukanoviqin për spiunazh.
Sveçla tha se institucionet shtetërore janë angazhuar më shumë se kurrë më parë për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit, të cilat, sipas tij, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.
Ai theksoi se institucionet e sigurisë do ta vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, ndërsa kërkoi më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat që këto veprime kanë për shtetin.
Komente











