Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, ka rënë dakord në parim për të rritur shpërblimet financiare dhe tarifat e pjesëmarrjes për Kupën e Botës 2026, në një vendim që synon të lehtësojë barrën ekonomike të federatave pjesëmarrëse.
Ky hap vjen pas shqetësimeve të ngritura nga disa federata kombëtare lidhur me kostot në rritje, veçanërisht për udhëtimet, logjistikën dhe taksat në SHBA, ku do të zhvillohet pjesa më e madhe e turneut.
Fillimisht, FIFA kishte prezantuar një fond rekord prej 727 milionë dollarësh për shpërblime, duke garantuar të paktën 10.5 milionë dollarë për secilën nga 48 kombëtaret pjesëmarrëse, ndërsa fituesi pritej të përfitonte rreth 50 milionë dollarë. Megjithatë, pas diskutimeve të fundit, kjo shumë pritet të rritet edhe më tej.
Vendimi përfundimtar do të miratohet në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s që do të mbahet të enjten në Vancouver, ku pritet të vulosen detajet financiare të turneut.
Paralelisht, FIFA planifikon të shtojë edhe fondet e zhvillimit për 211 federatat anëtare, si pjesë e një strategjie më të gjerë financiare. Organizata sportive parashikon të ardhura prej rreth 13 miliardë dollarësh në afatin 2023-2026, kryesisht falë interesit global për Kupën e Botës 2026.
Rritja e shpërblimeve shihet gjithashtu si një përgjigje ndaj presionit të federatave, të cilat kishin paralajmëruar rrezik për humbje financiare në rast se nuk arrinin fazat e avancuara të kompeticionit.
Komente





