/ATSH/.- Sot ose nesër pritet të vendoset nëse blloku VLAN do të vazhdojë siç ishte tani e pesë muaj, apo LDK do t'i marrë AAK-së, postin e kryeministrit me rishikimin e marrëveshjes së 10 qeshorit. Ndërsa, si opsion i fundit flitet edhe ndarja e koalicionit paszgjedhor, bën të ditur KosovaPress.
Megjithatë, përfaqësues të subjekteve që janë pjesë e bllokut, kanë paralajmëruar se sot ose nesër do të jenë ditët vendimtare përsa i përket të ardhmes së bllokut.
Kështu të paktën kanë thënë përfaqësuesit e Bllokut, pas takimit që patën të premten në orët e vona, ku Ramush Haradinaj tha se "përderisa nuk ka marrëveshje tjetër, ajo e 10 qershorit mbetet në fuqi, madje sipas tij, do të mundohen ta ruajnë këtë shumicë, jo për inat të askujt, por për të ecur përpara. Kurse, të shtunën e të dielën që lamë pas, si përfaqësuesit e AAK-së, ashtu edhe ata të LDK-së, janë shprehur se duan postin e kryeministrit, madje kanë filluar edhe ta akuzojnë njëri tjetrin për dështime".
Në anën tjetër, vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shtetet e Evropës Juglindore, Ernst Reichel, i cili është duke qëndruar në Kosovë, në përpjekje për të ndihmuar liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje, si dhe deklaratat e ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson, e po ashtu të atij britanik Ian Cliff, që sa më parë të thirret seanca, janë shenjat e ndërhyrjes ndërkombëtare.
Ndërkombëtarët pritet të jenë aktiv edhe këtë javë kur pritet që vendi të dalë nga kriza politike, që ka ardhur pas zgjedhjeve të fundit.