PRISHTINE - Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë refuzoi si të pabazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Konkretisht, refuzoi ankesën për anulim të votave me postë dhe atë për rinumërim të atyre në Skenderaj.
PZAP-ja ka njoftuar se e refuzoi si të pabazuar ankesën e LVV-së të paraqitur kundër KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet, ku pati kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota dhe që këto të largoheshin nga rezultatet përfundimtare.
Po ashtu, refuzoi ankesën për manipulim të votave ndaj PDK-së, ku LVV-ja pati pretenduar se në vendvotimet në Skenderaj kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, në shumicën e vendvotimeve ka marrë 94% deri 100% të votave dhe këtë e kishte quajtur të pamundur “që kandidatët për kryeministër të kenë 100% të votave në vendvotime të caktuara”, shkruajnë mediat kosovare.
Komente

