Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqjen në vitin 2022, gjatë largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Vendimi vjen pasi më 27 gusht Këshilli Gjyqësor i Kosovës refuzoi me nëntë vota pro, një kundër dhe një abstenim kërkesën e gjyqtarëve serbë për të tërhequr dorëheqjet dhe për t'u rikthyer në sistemin e drejtësisë. Gjyqtarët kishin kërkuar rikthimin më 15 korrik të këtij viti, pasi ishin larguar nga detyra në nëntor 2022.
Vendimi i KGJK-së shkaktoi reagime nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. BE shprehu “keqardhje të thellë”, duke deklaruar se refuzimi i rikthimit të gjyqtarëve duket i papajtueshëm me ligjin, procesin e rregullt dhe parimet e sundimit të ligjit, si edhe me funksionimin e një sistemi gjyqësor shumetnik. Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA në Prishtinë u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të garantojnë që qytetarët serbë të kenë mundësi të barabarta për t'u përfaqësuar në institucione dhe për të marrë pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të vendit.








Komente
Komento