Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) çertifikoi sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore në lidhje me pretendimet e tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja, raporton KosovaPress.
Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind dhe Lista Serbe 4.26 për qind.
Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.
Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.
Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Por, në këtë periudhë të ndërmjetme – pra nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare e deri te formimi i ekzekutivit të ri – Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat
Kush do formojw qeverinë e re?
Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.
Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë votat e 61 deputetëve.
LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende. Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione.
Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.
Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.
Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike.
Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.
Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
S.G/Shqiptarja.com
Komente

