PRISHTINË- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim delegacionin e klubit të basketbollit "Cibona" të Zagrebit, Kroaci, të kryesuar nga kryetari i klubit, Aleksandar Petrovi?, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të zhvilluar ndeshje miqësore me klubin e kryeqytetit "Sigal Prishtina" ku edhe do të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes dy klubeve.
Ministri Krasniqi shprehu kënaqësinë që një klub i madh dhe me traditë siç është "Cibona" e Zagrebit, do të zhvillojë ndeshje miqësore me një klub basketbolli të Kosovës dhe theksoi se është me interes për thellim të bashkëpunimit në fushën e basketbollit jo vetëm mes këtyre dy klubeve por edhe më gjerë. "Cibona është padyshim një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në Evropë. Ky klub ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj në basketbollin botëror përgjatë viteve. Në Kosovë "Cibona" ka pasur dhe ka shumë simpatizues, dhe duke ditur suksesin e këtij klubi, organizimin dhe shumë aspekte të tjera për neve është një nder që vjen në Kosovë për një ndeshje miqësore", tha ministri, duke shtuar se basketbolli i Kosovës po depërton në arenën ndërkombëtare dhe se ndeshje të tilla kontribuojnë në rritjen e cilësisë së organizimit dhe lojës.
Ai ka informuar mysafirët kroatë në lidhje me zhvillimet në sport, e në veçanti për basketbollin, për arritjet, sukseset si dhe sfidat që ka pasur Kosova, sidomos në ndërkombëtarizim, të cilat tashmë veç kanë nisur të tejkalohen. /ATSH/