
Kuvendi i Kosovës
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i japin edhe njëherë mundësinë Albin Kurtit të krijojë qeverinë vetëm me disa deputetë të pakicave kombëtare, por pa pasur nevojë t’i shtrijë dorën opozitës.
Kur janë numëruar mbi 95% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë afro 50% të votave që në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 55-56 deputetë. Kurtit i duhen jo më shumë se 5-6 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.
Në të njëjtat nivele me ato të dhjetë muajve më parë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila vetëm pak para zgjedhjeve ndryshoi liderin e saj.
Bedri Hamza ka marrë diçka më shumë se 20% të votave, identik sa përqindja e dhjetë muajve më parë dhe mund të marrë 23 deputetë, një më pak se në shkurt.
Ndërkohë që humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës.
Partia e Lumir Abdixhikut është në nivelin e 14% të votave, katër për qind më pak se zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të këtij viti dhe pritet të ketë një rënie me 5 deputetë nga 20 që mori në fillim të vitit.
Jashtë parlamentit e sheh veten edhe Fatmir Limaj i cili doli i vetëm në këto zgjedhje dhe nuk e arriti pragun, ndërkohë që Ramush Haradinaj me 6% të votave mund të marrë 6 deputetë nga 8 që kishte koalicioni i tij në shkurt 2025.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Numërohen mbi 98% e votave në zgjedhjet e parakohshme: Kurti kryeson me 49.47%, ndiqet nga PDK me 21.08%, LDK forcë e tretë












