KOSOVË - Albin Kurti duket se mund të vijojë qeverisjen e Kosovës si kryeministër, me Lëvizjen Vetëvendosje të votuar nga më shumë se 49.47% e pjesëmarrësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe për 4 vitet e ardhshme, duke i dhënë kështu fund krizës politike që shoqëroi vendin për shumë muaj.

Kur janë numëruar mbi 98% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbi 49% të votave që në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 55 deputetë. Kurtit i duhen jo më shumë se 6 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.

Në uebsajtin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës thuhet se nga numërimi i 2552 kutive të votimit, nga 2,557 në total, rezulton se:

Lëvizja VETËVENDOSJE ka marrë 49.47 % të votave
PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS (PDK) ka marrë 21.08% të votave
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS (LDK) ka marrë 13.63% të votave
ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS (AAK) ka marrë 5.70% të votave
SRPSKA LISTA ka marrë 4.45% të votave
NISMA SOCIALDEMOKRATE (NISMA) ka marrë 1.72% të votave

Ja si ndahen mandatet e 4 partive kryesore

Pas numërimit të mbi 98 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje rezulton me mbi 49 për qind të votave ka siguruar 55 ulëse në Kuvend.

Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 deputetë. Lidhja Demokratike ka 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 deputetë.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur me të paktën 7 deputetë, nga 48 që kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një deputet.

Humbësja më e madhe është LDK-ja që ka humbur pesë deputetë, nga 20 sa kishte.

AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 deputetë.

Kjo përllogaritje vlen pa u numëruar votat nga postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëse të tjera në Kuvendin e Kosoës ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për të pasur shumicën mjaftojnë 61 deputetë.

Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë më (28.12.) të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja

Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garuan 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garuan në këto zgjedhje ishin, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garuan gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind ishin burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit u hapën nga ora 07:00 dhe u mbyllen në 19:00.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Mori afro 50% të votave për Kuvendin, Kurti: Fitorja më e madhe në historinë e Kosovës

Kryetari i Lëvizje Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se fitorja e sotme e partisë së tij është më e madhja në historinë e vendit.

“Më 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, më 28 dhjetor 2025 filloi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit!”, tha Kurti në konferencë për media.

“Në Kuvendin e legjislaturës së dhjetë po na pret Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro, prej të cilave 2/3 janë kredi ndërkaq 1/3 grante dhe 3 marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro. Pra mbi 1 miliardë euro gjithsej. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.

Ora 22:21
Kreu i KQZ-së në Kosovë: Nesër nis numërimi i votave të preferenciale

1766957230_KreshnikRadoniqi.jpg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka mbajtur mbledhjen e fundit për sonte.

Kryesuesi i këtij komisioni, Kreshnik Radoniçi, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.79%, Partia Demokratike e Kosovës 21.18%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.77%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.74%, Lista Serbe 3.87%, Nisma Socialdemokrate 1.72%, transmeton Klankosova.tv.

I njëjti, bëri të ditur se rezultatet përfundimtare do të shpallen pas numërimit të votave me postë, me nevoja të veçanta dhe votat me kusht.

“Në vijim do të merren të gjitha rezultatet nga të gjitha vendvotimet dhe do të shfaqen në platformë”, tha ai.

Pos tjerash, Radoniçi bëri të ditur se nesër nis numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike.

“Numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike do të fillojë nesër nga ora 12:00, për shkak se i gjithë materiali sonte do të pranohet përgjatë tërë natës në qendrat e numërimit”, tha ai.

Ora 22:11
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Abdixhiku s'përjashton mundësinë e dorëheqjes nga drejtimi i LDK-së

1766956382_5784b578b0ea4f81e75008de2731fb18w1023r0s.avif

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rezultati zgjedhor nuk është ai që ka pritur, duke shtuar se ky është moment i një “reflektimi të thellë” dhe i përgjegjësisë politike.

Në bazë të numërimit të 95 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 13.80 për qind të votave. Kjo parti kishte 18 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.

Abdixhiku tha se sa më shpejt do të thërrasë Kuvendin e partisë, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij nga kreu i LDK-së.

“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim”, tha ai.

Abdixhiku, që udhëheq me LDK-në prej pesë vitesh, uroi fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, duke shtuar se vendi meriton stabilitet.

“E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”, tha ai.

Ora 22:05
Kosovë/ Kurti drejt formimit të qeverisë pa opozitën, ja si ndahen mandatet e 4 partive kryesore

1766956104_KuvendiKosove.jpg

Kuvendi i Kosovës

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i japin edhe njëherë mundësinë Albin Kurtit të krijojë qeverinë vetëm me disa deputetë të pakicave kombëtare, por pa pasur nevojë t’i shtrijë dorën opozitës.

Kur janë numëruar mbi 95% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë afro 50% të votave që në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 55-56 deputetë. Kurtit i duhen jo më shumë se 5-6 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.

Në të njëjtat nivele me ato të dhjetë muajve më parë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila vetëm pak para zgjedhjeve ndryshoi liderin e saj.

Bedri Hamza ka marrë diçka më shumë se 20% të votave, identik sa përqindja e dhjetë muajve më parë dhe mund të marrë 23 deputetë, një më pak se në shkurt.

Ndërkohë që humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Partia e Lumir Abdixhikut është në nivelin e 14% të votave, katër për qind më pak se zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të këtij viti dhe pritet të ketë një rënie me 5 deputetë nga 20 që mori në fillim të vitit.

Jashtë parlamentit e sheh veten edhe Fatmir Limaj i cili doli i vetëm në këto zgjedhje dhe nuk e arriti pragun, ndërkohë që Ramush Haradinaj me 6% të votave mund të marrë 6 deputetë nga 8 që kishte koalicioni i tij në shkurt 2025.

Ora 21:31
Mori afro 50% të votave për Kuvendin, Lëvizja Vetëvendosje nis festën në Prishtinë (FOTO+VIDEO)

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur festën në Prishtinë, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas rezultateve, kjo parti është rritur nga zgjedhjet e shkurtit me 8 qind. Ndjekës të VV-së kanë ndezur fishekzjarrë në sheshin e Prishtinës.

Ora 19:06
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë/ Exit Polli nxjerr forcë të parë Kurtin me 43.5%! PDK 23.6%, LDK 15.9%, AAK 7.2%

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, tri televizione në Kosovë kanë publikuar rezultatet e exit poll-eve, duke e nxjerr të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Sipas sondazhit të televizionit Dukagjini, LVV-ja pritet të fitojë 45.7 për qind, PDK-ja 22, LDK-ja 15.6 për qind dhe AAK-ja 5.3.

Sondazhi i Klan Kosovës parashikon që LVV-ja të fitojë 44.1 për qind, PDK-ja 23.9, LDK-ja 16.1 për qind dhe AAK-ja 5.8 për qind.

Ndërkaq, exit poll-i i T7-shit nxjerr LVV-në me 43.5 për qind, PDK-në me 23.6 për qind, LDK-në me 15.9 për qind dhe AAK-në me 7.2 për qind.

Asnjëra nga këto sondazhe nuk ka parashikuar që Nisma Socialdemokrate të kalojë pragun zgjedhor.

Edhe media T7 ka në Kosovë publikuar Exit Pollin me rezultatet për zgjedhjen që u zhvilluan sot.

VV – 43.5 %

PDK – 23.6%

LDK – 15.9 %

AAK – 7.2 %

Të tjerat – 9.2%