Kosovë - Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një tjetër takim mbrëmjen e sotme, për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Takimi mësohet se ka pasur në fokus çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për të cilën dy liderët kanë zhvilluar diskutime edhe në ditët e fundit.

Në takimin e mëparshëm, Kurti dhe Abdixhiku kishin konfirmuar se diskutimet kishin kaluar edhe te emrat konkretë të mundshëm për postin e Presidentit.

Megjithatë, nga takimi i sotëm nuk është arritur ndonjë dakordësi apo është bërë ndonjë hap konkret drejt zgjidhjes së çështjes.

“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme edhe për ju”, tha kryeministri Albin Kurti për mediat, pas takimit të paparalajmëruar.

Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.

Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.