PRISHTINË - Në Kuvendin e Kosovës, në komisionet parlamentare sot diskutohet për migrimin, liberalizimin e vizave dhe ndryshimin e Ligjit për Kushtetuesen.
Në axhendën e Komisionit për Integrime Evropiane është raportimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka në axhendë diskutimin me përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit, lidhur me nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, shtypi i sotëm në Prishtinë thekson edhe se "ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës konsiderohen domosdoshmëri, për shkak se shumë çështje si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, transformimi i FSK-së në FAK, Ligji për Zgjedhjet, mënyrës së zgjedhjes së presidentit, ndërhyrjet në aktin më të lartë juridik" dhe se, "kërkohet që ndryshimi 'radikal' të bëhet më shpjet"./ATSH/