/ATSH/- Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë rezolutën e propozuar nga AAK-ja, për ndalimin e migrimit ilegal, për shkak të mungesës së kuorumit. Rezoluta, bën të ditur agjencia e lajmeve KosovaPress, do të kthehet për shqyrtim në Komisionin për Buxhet dhe Financa, për shkak impaktit në buxhet. Gjatë debatit deputetët akuzuan Qeverinë se nuk merr asnjë masë për ndalimin e këtij fenomeni. Shkaku kryesor i migrimit, theksuan deputetët, është gjendja ekonomike dhe sociale në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës.
Ligjvënësit u rekomanduan institucioneve të Kosovës, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike, të punojnë për liberalizimin e vizave, meqë edhe kjo pengesë e lirisë së lëvizjes, po i shtyn qytetarët ta braktisin Kosovën.