PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Përfituesit e granteve të programit të bashkëpunimit ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, të financuar nga BE, u prezantuan sot, në një ceremoni të organizuar në Shkup.
Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Besnik Osmani tha se Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar ka për qëllim të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar, përmes përkrahjes së aktiviteteve të përbashkëta dhe projekteve për bashkëpunim ndërkufitar. Këto projekte pritet të ndikojnë në gjendjen ekonomike dhe sociale, përmirësimin e menaxhimit të përbashkët dhe burimeve njerëzore, natyrore dhe kulturore si dhe fuqizimin e imazhit dhe kohezionit në rajon.
Sipas njoftimit nga Shkupi dërguar nga ministria kosovare, sekretari Osmani tha se rajoni kufitar ndërmjet vendeve është i pasur me resurse të shumta, që paraqesin një kapacitet potencial që mund të zhvillohet. "Banorët që jetojnë në zonën kufitare do të kenë mundësi që përmes këtij programi të zhvillojnë dhe përmirësojnë kushtet jetësore, të kenë më shumë prosperitet në të ardhmen dhe në këtë mënyrë të mos largohen nga këto zona kufitare" theksoi Osmani.
Në ceremoninë e inaugurimit të kontratave të para grantit folën edhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian Aivo Orav, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoni, Lirim Osmani, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Përfitues të granteve për programin e bashkëpunimit ndërkufitar janë gjithsej gjashtë projekte, ndërsa përfitues të projekteve nga Kosova janë komuna e Gjilanit, Vitisë dhe Dragashit. Alokimet e përgjithshme financiare të projekteve fituese, që do të zbatohen në të dy anët e kufirit, janë rreth 2.160.000 euro. Grantet e përzgjedhura do të zbatojnë aktivitetet e projektit sipas komponenteve: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor dhe kohezioni social.
/b.j//m.m/