Ndërsa Lufta e Dytë Botërore po shënonte muajt e fundit të saj në Shqipëri, një tjetër luftë, më e heshtur por me përmasa tragjike, po lindte në prapaskenë. Forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishin nisur të fitonin terrenin politik, duke filluar menjëherë spastrimin e kundërshtarëve. Në ato ditë të fundit të luftës, Sefer Mujo dhe vëllai i tij, Alo, të angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar, do të kuptonin se rrjedha e ngjarjeve po shënonte një triumf për komunistët dhe një disfatë të pariparueshme për ta. Një komision hetimor i dalë nga radhët e fitimtarëve të rinj nisi hartimin e listave të zeza për të eliminuar gjithë kundërshtarët politikë, duke i cilësuar ata si "kriminelë lufte". Në ato lista vdekjeje ishin shënuar edhe emrat e Seferit dhe Alos.
Nga ky moment, për familjen Mujo do të niste një kalvar i gjatë vuajtjesh, torturash dhe përndjekjeje të pazakontë nga Sigurimi i Shtetit. Ndërsa Alo arriti të arratisej, Seferi u arrestua në Tiranë. Por, përpara se ta nxirrnin në gjyq, ai shfrytëzoi një moment verifikimi dhe u arratis. Sapo kishte marrë vesh se një dramë e vërtetë kishte goditur ndërkohë familjen e tyre në fshatin Luaras të Ersekës: vëllai i tyre i tretë, Kamberi, ishte arrestuar.
Në sfidë të hapur me Sigurimin e Shtetit
Sefer Mujo do të vihej shumë shpejt në qendër të një historie që ngjan me skenarët e filmave të zbulimit. Ai arriti të kalonte kufirin dhe u bashkua në arrati me forcat e "Kompanisë 4000", duke u stërvitur për vite me radhë në qendra sekrete të Perëndimit për të luftuar regjimin komunist.
Për vite me radhë, Seferi u kthye në një legjendë të gjallë që luante me forcat e Sigurimit të Shtetit si macja me miun. Ai hyri dhe doli nga Shqipëria fshehurazi mbi 20 herë. Nën hundën e agjentëve të regjimit, ai takonte bashkëshorten e tij në kampet e internimit, mblidhte të dhëna të rëndësishme në terren dhe shpërndante materiale propagandistike, duke u shpëtuar të gjitha kurtheve të ngritura pa rënë kurrë në duart e tyre. Por kostoja e kësaj sfide do të ishte jashtëzakonisht e rëndë për familjen e tij, e sidomos për bashkëshorten, Bajamen.
Sot, pas dekadash heshtjeje, i biri i Seferit, Eqerem Mujo, po përfundon redaktimet e dy vëllimeve me kujtime dhe dokumente arkivore deri dje sekrete. Përmes një kërkimi disavjeçar, ai ka rindërtuar historinë e të atit.
"Sefer Mujo ka qenë një fshatar nga Luarasi i Ersekës, i lindur dhe rritur atje," dëshmon Eqerem Mujo për “Dosja K”.
"Kur filloi lëvizja, ai u angazhua në çetat e Ballit fillimisht. Kur komunistët morën pushtetin, ai u detyrua të largohej prej vendit sepse ishte dënuar me vdekje nga komisioni për zbardhjen e kriminelëve të luftës, gjë që s’është fare e vërtetë."
Hakmarrja e parë: Kamberi zvarrë pas kalit dhe djegia e shtëpive
Sipas dëshmive të Eqeremit, fillesa e dramës lidhet direkt me arrestimin e xhaxhait të tij, Kamberit, vetëm katër ditë pas të ashtuquajturit "Çlirim". Në familje kishin mbetur vetëm pleqtë, nuset dhe fëmijët e vegjël. Kamberi nuk kishte qenë asnjë ditë në luftë, por faji i tij i vetëm ishte se rridhte nga një familje e pasur dhe kishte dy vëllezër kundërshtarë politikë.
Në shënimet e tij, Eqeremi përshkruan tmerrin e arrestimit të xhaxhait:
"Frika e asaj që do të ndodhte i terrorizoi të gjithë pjesëtarët e familjes. Kishin dalë të gjithë jashtë e prisnin të shihnin ç’do të ndodhte me Kamberin. Nuk u besonin syve kur shikonin një njeri të lidhur me litar dhe litarin e kapur në samarin e një kali që e tërhiqte atë herë më këmbë e herë zvarrë. U lemerisën dhe u tmerruan të gjithë, kur shikonin atë skenë aq të shëmtuar dhe mizore."
Hakmarrja nuk u ndal me arrestimin e Kamberit, i cili u dënua me 101 vjet burg. Reprezaljet mbi shtëpitë e tyre në fshat ishin të egra. Repartet komuniste u lëshuan mbi pronat e tyre me leva, sëpata e kazma, duke shkatërruar tavanet, dyshemetë dhe pajat e nuseve në kërkim të "armëve të Cekos" (siç i thërrisnin Seferit). Eqeremi kujton se si ushtarët dogjën stanet e bagëtive, duke rrafshuar gjithçka: "Çobenët qanin kur shikonin e dëgjonin blegërimat e dhimbshme të deleve që digjeshin për së gjalli... Filluan t’u vinin zjarrin shtëpive njëra pas tjetrës... ai zjarr aq i madh dhe aq i përhapur rrafshoi çdo gjë."
Pas djegies së shtëpive, gjyshi, gjyshja, bashkëshortja e Seferit, Bajamja, dhe tre fëmijët e saj të vegjël u internuan fillimisht në Krujë, në kushte izolimi të plotë.
Stërvitja sekrete në Mynih e Maltë dhe tradhtia e Kim Filbit
Ndërkohë, në arrati, Sefer Mujo kishte nisur një kapitull të ri. I mërzitur deri në pikën e fundit që kishte lënë pas gruan e re dhe tre fëmijë pa pasur asnjë lajm për ta, ai pa si dritë shprese planet e Anglisë dhe Amerikës për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri.
Në kujtimet e tij të shkruara në vetën e parë, Seferi përshkruan fillimet e "Kompanisë 4000":
"Isha në Mynih bashkë met 70-80 të rinj të seleksionuar nën një disiplinë të fortë, që na stërvitnin ditë dhe natë... Na hoqën prej Mynihut dhe na çuan në një vend sekret, ku stërvitja ishte shumë e ngarkuar... Anglezët na përgatitën për ndërhyrje në Shqipëri, si fillim diversantë... Kështu, veshëm rroba ushtarake angleze të thjeshta dhe... më 10 tetor 1949 u nisëm për në frontin e luftës sonë të heshtur."
Misioni i tyre ishte kryesisht propagandistik dhe organizativ. Por ata nuk e dinin se fatkeqësia i priste që në nisje. Grupet që futeshin ishin të denoncuara kohë më parë nga vetë qendra e tyre në Londër, e cila drejtohej nga spiuni i famshëm i dyfishtë, Kim Filbi. Filbi ia kalonte informacionet me saktësi sigurimit rus, dhe ky i fundit përgatiste Sigurimin shqiptar për t'i pritur në pritë.
Megjithatë, Seferi arriti të depërtonte. Kur u fut nga Greqia, shkoi natën fshehurazi në Luaras. Aty gjeti vetëm gërmadha ku ende dilte tym. Pasi takoi kunatën e tij në fshehtësi, mësoi se familja e tij ishte degdisur në kampet e internimit. Në dimrin e vitit 1946, përmes rreziqeve të jashtëzakonshme, ai arriti të futej në Krujë dhe të takonte ilegalisht bashkëshorten e tij, Bajamen.
Jetesa në Valias dhe fëmija në gji që "hyri në listën e burrave"
Ky takim alarmon Sigurimin e Shtetit, i cili kupton se një desant u hynte dhe u dilte nën hundë. Si ndëshkim, familja Mujo zhvendoset nga Kruja drejt kampit famëkeq të Valiasit në Kamëz, një kamp i rrethuar me tela me gjemba e me apel të përditshëm.
Eqerem Mujo sjell në mendje fragmente të dhimbshme nga jeta brenda telave. Kur i morën nga fshati, vëllai i madh, Fatmiri, ishte vetëm 3 vjeç, Eqeremi 2 vjeç, ndërsa vëllai i vogël, Nevruzi, ishte ende foshnjë në gjirin e nënës.
Në Kamëz, regjimi nuk kursente as foshnjat në apel. Eqeremi kujton një skenë që ndërthurte tragjiken me absurdin:
"Vëllai i vogël ishte në gji të s’ëmës dhe ajo e mbante në një pozicion që nuk e shihte apelbërësi. Oficeri i bërtet nënës me inat: 'Ku e ke fëmijën tjetër?'. Ajo u kthye me inat dhe e shkundi vëllanë: 'Fol more se je futur në listën e burrave!'. Kjo shkaktoi të qeshura dhe ilaritet të përgjithshëm aty."
Uria ishte e përhershme. Qindra njerëz prisnin në radhë për një garuzhde lëtyrë racioni nga kazani, shoqëruar me vetëm 200 gramë bukë në ditë, të cilën njerëzit e përlanin përpara se të merrnin lëngun e ngrohtë.
Arrestimi i Bajames: Fëmijët si ushqim për grepin e Sigurimit
Në fund të nëntorit të vitit 1947, jeta e Bajame Mujos dhe tre djemve të saj do të shënonte pikën më dramatike. Gjatë një apeli, dy oficerë thirrën emrin e saj dhe të fëmijëve, duke lexuar një vendim të Këshillit Gjyqësor të Komandës Ushtarake të Kolonjës. Bajamja kthehej në gjendje arresti në burgun e Ersekës.
Rrugës për në Ersekë, tek "Kilometri 32", makina ndaloi. Aty priste gjyshi i fëmijëve, të cilin e kishin lajmëruar të dilte me kuaj për të marrë nipërit. Skena ishte e prerë me thikë: ushtarët i zbritën të tre fëmijët e vegjël, ndërsa nënës ia lidhën duart prapa në makinë, pa e lënë as të takonte të atin.
Nga Greqia, Seferi kishte mësuar për arrestimin e së shoqës. Ai hyri sërish në Shqipëri me shpresën për të organizuar një rrëmbim të guximshëm të gruas dhe fëmijëve, por plani ishte tejet i rrezikshëm. Sigurimi kishte rrethuar fshatin e dajës së fëmijëve me patrulla të armatosura. Ata shpresonin se Seferi do të binte në kurth, duke përdorur tre fëmijët e tij të mitur si ushqim në grepin e tyre për të kapur "gjahun". I gjendur para këtij rrethimi, Seferi u detyrua të kthehej sërish në Greqi, i përmbytur nga urrejtja dhe dëshpërimi.
Dëshmia e tmerrshme e Bajames: Minjtë dhe "Plasja" në duart e përgjakura
Më shumë se katër muaj kaluan pa asnjë lajm. Deri ditën kur gjyshi u lajmërua të shkonte sërish në Ersekë. Fëmijët dolën ta prisnin në rrugë me shpresën se po kthehej me nënën e tyre. Pamja që panë u ka mbetur e ngulitur në kujtesë për tërë jetën:
"Përpara nesh shfaqet gjyshi duke tërhequr për kapistre një mushkë. Mbi të qëndronte e lidhur dhe e mbështjellë me një batanije një qenie njerëzore kufomë. Kishte mbetur kockë e lëkurë, e mavijosur, që mezi merrte frymë, me dy duart e lidhura me lecka të shqyera, të përgjakura e të qelbëzuara. Ishte pa ndjenja. Vulat e zeza të torturave i kishte në tërë trupin."
Në shënimet e saj, që ruhen nga i biri, Bajamja përshkruan ferrin e përjetuar në bodrumet e Ersekës. E hodhën mbi një gunë barinjsh duke i thënë: "Aty do të ngordhësh. Do të të sjellim edhe Cekon e bashkë do të ngordhni." E pyesnin çdo ditë për florinjtë dhe për planet e Seferit. Urrejtja për të shoqin shfrehej mbi trupin e saj përmes poshtërimesh mbinjerëzore.
Ditën që ajo refuzoi të pranonte takimet, një oficer e shtyu me forcë në oborr, duke e rrëzuar mbi kalldrëm. Pasi ra, oficeri e goditi me thembrën e këpucës ushtarake mbi duart e saj të shtrira. Dhimbja ishte aq e tmerrshme sa ajo humbi ndjenjat.
Kur u përmend në bodrumin e errët, ajo nuk i urdhëronte dot më gishtat. Një partizane ia lidhi duart me ca lecka të pista. Pikërisht në atë errësirë ndodhi tmerri më i madh, i përshkruar nga vetë Bajamja:
"Kërcej përpjetë prej dhimbjeve të padurueshme. Kishte ndodhur ajo që në gjuhën mjekësore njihet si 'Panaritium' ose plasja në të dyja duart. Minjtë po shqyenin leckat e gjakosura e të qelbëzuara, e ndoshta hanin e shqyenin edhe mishin e duarve të mia pothuaj të vdekura... Nga tmerri i dhimbjeve rrija në këmbë dhe qaja me të bërtitura lebetitëse. Më kot, nuk pata asnjë ndihmë. Kisha humbur lidhjet me botën."
Kthimi në jetë
Bajamja doli nga burgu në gjendje agonie dhe pa vetëdije. Gjyshi e solli në fshat gjysmë të vdekur. Për një muaj e gjysmë, motrat e saj ia pastronin plagët e infektuara çdo ditë ndërsa ajo qëndronte si pa jetë, duke i futur me forcë në gojë gjalpë të porsatretur për ta mbajtur gjallë.
Vetëm pas 45 ditësh agonie, ajo nisi të kuptonte se ku ndodhej. Fjalët e para që nxori nga goja me një zë të mekur ishin: "Ku janë fëmijët? Ku janë fëmijët?!"
Kjo histori e familjes Mujo mbetet një dëshmi e gjallë e çmimit të lartë të lirisë dhe qëndresës. Një histori ku përplaset ideali dhe atdhedashuria e një diversanti që sfidoi një regjim të tërë, me fytyrën më mizore e të përbindshme të një diktature që nuk kurseu as gratë e fëmijët në djep.












Komente
Komento