Kosovë,Meta mesazh të fortë BE:
Demarkacioni,jo kusht për vizat

Kosovë,Meta mesazh të fortë BE:<br />Demarkacioni,jo kusht për vizat<br /><br>
Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për media me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, pas takimit me këtë të fundit. Meta tha se do të mbështesë Kosovën në forcimin e pavarësisë, si dhe në aspiratën për të ardhmen evropiane të saj.

"Dua të shpreh angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë dhe në realizimin e aspiratës për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Meta.

Më tej, Meta foli dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se do t’i jepet fund kësaj bllokade. Sipas tij, liberalizimi i vizave nuk duhet të kushtëzohet me Demarkacionin.

“Lidhur me liberalizimin e vizave nuk mund të ketë moment më të vështirë për Presidentin e Shqipërisë, pasi ka kërkesa pafund nga personalitete për të marrë nënshtetësinë dhe qëllimi kryesor është t’i shpëtojmë kësaj bllokade. Kam pasur një takim me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin dhe me personalitete të tjera, me të cilët kemi theksuar domosdoshmërinë e dhënies fund këtij izolimi, diskriminimi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës, pasi janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi. Besoj se vendimi është i padrejtë për të kushtëzuar çështjen e vizave me Demarkacionin. BE nuk duhet të harrojë se politika e zgjerimit ka qenë katalizator i proceseve transformuese, i forcimit të sigurisë dhe paqes e stabilitetit në rajon. Kjo politikë e zgjerimit duhet të vazhdojë dhe mendoj se sinjali i parë është liberalizimi i vizave të Kosovës, e cila ka plotësuar kushtet”, theksoi Meta.

Nga ana e tij, Presidenti Hashim Thaçi tha se ka diskutuar me homologun shqiptar për zhvillimet në rajon, duke e quajtur Shqipërinë një mbështetje për Kosovën. Më tej, ai shtoi se është biseduar dhe për nënshtetësinë e qytetarëve kosovarë.

“Diskutuam për zhvillimet në rajon. Shqipëria është një mbështetje për Kosovën. Diskutuam me Presidentin Meta për nënshtetësinë e qytetarëve kosovarë”, deklaroi Thaçi.

Gjithashtu, Presidenti Thaçi bëri një deklaratë të fortë, teksa kërkoi nga Shqipëria nënshtetësinë për qytetarët kosovarë. Ai ia bëri homologut Meta këtë kërkesë, si sipas tij, si pasojë e bllokadës që BE po i bën kosovarëve për të lëvizur lirshëm.

“Kam kërkuar nga presidenti Meta që kosovarëve, sidomos studentëve dhe biznesmenëve, t’u mundësohet që të kenë nënshtetësi të Shqipërisë në mënyrë që të lëvizin lirshëm. Këtë e mundëson edhe Kushtetuta e Kosovës edhe ajo e Shqipërisë”, shtoi Thaçi.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta u nderua gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në selinë e Presidencës së Kosovës me Dekoratën e lartë “Urdhri i Pavarësisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.”

Presidenti Thaçi vlerësoi kontributin personal të Presidentit Meta, angazhimin prej afro tre dekadash për Kosovën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës dhe të përmbushjes së aspiratës për pavarësi gjithashtu edhe për njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Pasi mori në dorëzim dekoratën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë Meta në fjalën e Tij vuri në dukje se vizita në Kosovë si President i Republikës është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe emocion i rrallë.

“Kjo dekoratë është një surprizë e veçantë, por e marr si një vlerësim për gjithçka që qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të zotohem këtu për angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë, rritjes së njohjeve të saj ndërkombëtare dhe realizimit të aspiratës së perspektivës evropiane, tërësisht të prekshme të saj dhe të gjithë rajonit, sepse perspektiva evropiane e Kosovës është tepër e rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë”, u shpreh Presidenti Meta.


[gallery]24229[/gallery]

 

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe