/ATSH/.- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, mori pjesë në Konferencën e II-të ndërkombëtare, "Siguria në trafikun rrugor dhe sfidat e transportit në Evropën Juglindore" e organizuar nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit në koordinim me Akademinë e Unionit Ndërkombëtar për transportin rrugor dhe Këshillit Evropian për Sigurinë në Transport.

"Siguria në rrugë mbetet ende sfidë e kësaj fushe për të cilën duhet të punojmë më shumë në krijimin e kushteve të një mjedisi të sigurt për pjesëmarrësit në komunikacion", tha Agani.

Sipas një komunikate për media nga MMPH Agani tha se "respektimi i rregullave të komunikacionit, zbatimi i ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe përdorimi i transportit publik si alternativë e lëvizjes janë detyrimi i çdo qytetari të vendit tonë për një kualitet të mirë të jetës".

Për sigurinë në trafik foli edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili tregoi hapat konkretë që kjo komunë i ka ndërmarrë, të cilët kanë dhënë rezultat në parandalimin edhe zvogëlimin e numrit të aksidenteve në kryeqytet./KosovaPress/