PRISHTINË, 19 Janar /ATSH/.- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, u nis sot për në Britaninë e Madhe, me ftesë të ministrit për Universitete dhe Shkencë, Hon Greg Clark dhe sekretarit të shtetit për arsim, Hon Nicky Morgan.
Ministri Bajrami do të marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit 2015, i cili mbahet në Londër nga 19 deri më 22 janar.
Siç njofton MASHT në këtë forum vjetor, në të cilin marrin pjesë ministrat e arsimit nga shumë vende të botës, do të diskutohen tema të ndryshme mbi arsimin dhe teknologjinë, si dhe mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet sfera e arsimit në përgjithësi.
"Gjatë kësaj vizite, ministri Bajrami do të ketë takime edhe me homologë dhe përfaqësues të ndryshëm nga lëmia arsimore dhe shkencore nga shtete të ndryshme të botës, ndërsa do të vizitojë edhe Universitetin e Kembrigjit (University of Cambridge), për të parë nga afër zhvillimin dhe nivelin e arsimit, si model i dalluar dhe i njohur në përmasa botërore", thuhet në komunikatë
Ministri Bajrami gjithashtu do të takohet edhe me studentët kosovarë që studiojnë atje, për të vlerësuar vizionet e tyre për të ardhmen dhe kontributin në zhvillimin e Kosovës në përgjithësi dhe segmentin e arsimit në veçanti./KosovaPress/k.s/









