/ATSH/.- Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami priti sot në takim kryetarin e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Komunikimit Publik, Genc Polo, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe një grup i deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.

Ministri Bajrami foli për zhvillimet e fundit në fushën e arsimit, me theks të veçantë ndryshimin dhe kompletimin e legjislacionit, në funksion të ngritjes së cilësisë.

"Reformat në arsim janë me interes gjithëkombëtarë. Jemi duke punuar në ndryshimin dhe hartimin e ligjeve. Tashmë ka filluar punët grupi punues për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe ai për hartimin e Ligjit për Profesionet e Rregulluara, ndërkohë që Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore ka kaluar në Kuvendin e Kosovës", theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami njoftoi delegacionin shqiptar për organimin e Konferencës Ndërkombëtare për Arsimin e Lartë, në javën e parë të muajit maj, në të cilën do të këmbehen përvojat e vendeve të rajonit lidhur me reformat në arsim.

Kryetari i Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Komunikimit Publik, Genc Pollo, theksoi nevojën për përafrim të legjislacionit në fushën e arsimit dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërshtetëror.

Ministri Bajrami dhe deputeti Pollo diskutuan edhe lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe çështje të tjera me interes reciprok.