PRISHTINË, 8 Maj /ATSH/.-Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, paralajmëron një vizitë në Luginën e Preshevës këtë muaj dhe se secili nxënës atje nga 1 shtatori do të ketë pakon falas të teksteve e mjeteve mësimore të mësimdhënies moderne, me kurikulë evropiane.
"Për datën 25 maj kam aranzhuar vizitën time zyrtare përmes zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe unë do ta vizitojë Luginën e Preshevës, do takojë drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, por edhe kryetarët e komunave për t'i inkurajuar se ata nuk do kenë mungesën e kujdesit të Republikës së Kosovës sa i përket teksteve dhe ne jemi në përgatitje të plotë që para 1 shtatorit të furnizojmë secilën shkollë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë me tekste e mjete mësimore", tha Bajrami.
"Gjithësej në Luginën e Preshevës kemi 15 shkolla fillore dhe 4 shkolla të mesme, përafërisht 10 mijë nxënës dhe studentë", tha ministi kosovar i Arsimit duke theksuar edhe mbështetje të tjera të qeverisë së Kosovës për arsimin shqip në atë rajon.
Ministri Bajrami sapo foli gjatë punimeve të sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginë të Preshevës, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë tjerë.
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, ka vizituar Luginën e Preshevës në muajin mars të këtij viti.
Lugina e Preshevës, të cilën e quajnë edhe Kosova Lindore, është një rajon i banuar me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë./b.j/k.s/








